75 Mall Live Search
10:47 / E Mërkurë, 16 Prill 2025 / L K

Gana rikonfirmon njohjen e Kosovës – Takim i rëndësishëm i dërguarit të presidentit Pacolli me presidentin Mahama

Accra, Gana – Si i dërguar i presidentit Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj, zhvilloi një takim zyrtar dhe frytëdhënës me presidentin e Ganës, John Dramani Mahama, në pallatin presidencial Jubilee House në Accra.

Gjatë këtij takimi, presidenti Mahama konfirmoi qëndrimin e pandryshuar të Ganës për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke theksuar se një vendim i tillë është në përputhje me vlerat demokratike dhe paqedashëse që përfaqëson Gana. Ai mohoi kategorikisht lajmet e publikuara më parë nga autoritetet serbe mbi një tërheqje të njohjes së Kosovës nga ana e Ganës, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

Zyberaj theksoi rëndësinë e kultivimit të marrëdhënieve me shtetet mike dhe vlerësoi qëndrimin e Ganës si shembull të partneritetit të sinqertë ndërkombëtar. Ai shtoi se institucionet e reja të Kosovës duhet të angazhohen më shumë në ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve me vendet që kanë mbështetur pavarësinë dhe shtetësinë e saj.

Ky takim nënvizon rëndësinë e diplomacisë aktive dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me vendet afrikane që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe forcon pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në arenën globale.