Gani Dreshaj: E treta e vërteta, fitoj bindshëm në Istog
Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur të premten që komuna e Istogut të shkojë në rivotim.
Këto zgjedhje të përsëritura që pritet të mbahen më 17 dhjetor, i ka komentuar Gani Dreshaj për “Indeksonline”.
Kandidati i AAK-së për Istogun, i cili nga zgjedhjet e balotazhit doli fitues në këtë komunë, është shprehur i bindur se 17 dhjetori do konfirmojë se ai do jetë në krye të istogasve.
“Në Istog zgjedhjet e 22 tetorit dhe 19 nëntorit shumica ka votuar për ndryshim. Pavarësisht padrejtësive në këtë proces dhe vendimeve që për mua kanë qenë skandaloze pasi është mohuar fitorja jonë e pastër ne balotazh, ne do të komfirmojmë fitoren në rivotimin e 17 dhjetorit”, ka thënë ai.
Dreshaj u ka bërë thirrje istogasve që të dalin sa më shumë në votim, meqë sipas tij, 4 minuta për të dhënë votën, vendosin për qeverisjen e 4 viteve të ardhshme.
Po ashtu, ai ka deklaruar se organet e mbarëvajtjes së zgjedhjeve nuk duhet të lejojnë që të ndodhin probleme me rrymën gjatë votimit dhe shantazhet e presioni ndaj votuesve.
“Jam i bindur në fitore bindëse sepse në Istog nevoja për ndryshim eshte shume e madhe. I bëj thirrje te gjitha organeve për mbarëvajtjen e mirëfillte të zgjedhjeve pasi nuk bën më të përseritet ndalje e rrymës, shantazhi ndaj votuesve dhe vjedhja e votave. Qytetarëve të Istogut iu bëj thirrje që të dalin në numer sa më të madh ne zgjedhje sepse 4 minuta votim janë të vogla për 4 vite ndryshim”, ka thënë ai për “Indeksonline”.
Kujtojmë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ditë më parë mori vendim që komuna e Istogut të shkoj në rivotim për raundin e dytë, vendim të cilin e kundërshtoi fuqishëm AAK-ja. Kjo e fundit ka dërguar ankesë në Gjykatën Supreme me shpresën se vendimi do jetë në favor të tyre.
Mirëpo, Supremja në vendimin e saj përfundimtar të premten ka bërë me dije se Istogu duhet të shkojë në rivotim./Indeksonline/