Ganimete Musliu: Donika Gërvalla, Mimoza Kusari e Fitore Pacolli e bullizuan deputetin e ri Paris Guri në kuvend – qasje e frikshme

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se deputeti i LDK-së, Paris Guri u bullizua sot në kuvend nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe deputetet Mimoza Kusari e Fitore Pacolli.
Ajo shkroi në Facebook se Guri u tall dhe ofendua vetëm për shkak të emrit dhe moshës së tij.
“Deputetet e Vetëvendosje si bullizues kolektiv, shembulli i sotëm në kuvend. Sot në foltoren e Kuvendit të Kosovës u pa qartë se sa larg është gatshme të shkojë Vetëvendosje në bullizim kolektiv. Deputeti i ri, Parisi, në vend që të inkurajohej dhe të mbështetej në hapat e parë të tij në kuvend, u përball me një fushatë të organizuar talljeje dhe ofendimi, jo për përmbajtjen e fjalës së tij, por për emrin dhe moshën e tij. Ky është një akt i dënueshëm në vetvete, por bëhet edhe më i shëmtuar nga fakti se në ballë të kësaj fushate bullizuese ishin tri gra: Mimoza Kusari, Donika Gërvalla dhe Fitore Pacolli”, shkroi Musliu.
Kjo, sipas deputetes, “jo vetëm që shkel parimet bazë të etikës parlamentare, por dërgon edhe një mesazh të rrezikshëm për rininë e angazhuar në politikë, se në vend të inkurajimit, do të përballen me përbuzje e përqeshje”.
“Qasja e Vetëvendosjes ndaj një deputeti të ri është e frikshme dhe e papranueshme. Nëse një emër ose një moshë e re është arsye për t’u përbuzur në kuvend, atëherë çfarë mesazhi u jepet të rinjve që duan të kontribuojnë për vendin”, shkroi Musliu.