75 Mall Live Search
14:22 / E Enjte, 15 Shtator 2022 / k.v

Ganimete Musliu: Në cilën shkollë e ke vajzën, Kryeministër? Tendenca për të shtypur grevën është rrëshqitje drejtë diktaturës

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në Seancën kuvendore, ka diskutuar për mënyrën e ardhjes në pushtet i kësaj qeverie, dhe pyeti, çfarë ndryshimi solli.

“Qytetarët i besuan kauzave të rrejshme të Albin Kurtit dhe votuan për ndryshim siç u trumbetua nga VV dhe u ripërtyp në shoqëri. Votat e tyre vërtetë sollën ndryshimin, dhe kjo është e vërteta e vetme e atyre zgjedhjeve, por shtrohet pyetja: Çfarë ndryshimi sollën?, theksoi ajo.

Deputetja Musliu theksoi se ndryshim për të mirë apo ndryshim për të keq dhe shtoi se “për më shumë se një vit e gjysmë, përformanca e vetme e qeverisë ishte për të dëshmuar se ndryshimin e sollën, por ama sollën ndryshim për keq”.

“Gjashtë muajt e parë, i gjithë diskursi politik i qeverisë së Kosovës ishte fitorja e madhe dhe akuzat ndaj qeverive të kaluara. Gjashtë muajt e dytë, bosht i diskursit ishin arsyetimet për dështimet e veta dhe hedhja e fajit qeverive të kaluara. Dymbëdhjetë muajt e parë u përcollën me përndjekje politike, shkarkime të paligjshme dhe punësime familjare dhe partiake”, theksoi Ganimete Musliu.

Ajo tha se tani, kur po shkojmë drejtë përmbylljes së vitit të dytë të qeverisë së Albin Kurtit, nuk ndalen ende arsyetimet, fajësimet, shkarkimet, përndjekjet, dështimet.

Musliu goditi improvizimet e qeverisë Kurti, dështimet e tij dhe të kabinetit të tij qeveritar, e kanë sjelle Kosovën në një pikë ku ka stagnuar çdo segment i jetës. Po ashtu, shtoi se “arroganca e tyre, prepotenca dhe mosdija paraqesin rrezik për vendin tonë si brenda ashtu edhe në raport me jashtë. Realiteti jonë është se në krye të vendit u zgjodh, apo më mirë të themi u kontrabandua një politikan i cili për 20 vjet rresht krijoi dhe u priu kauzave të rrejshme.

“20 vjet rresht ai propagandonte se: Kosova nuk do të ketë pavarësi, nuk do të ketë ushtri, nuk njohu shtetin dhe simbolet e tij, mohoi çdo të arritur në vend, terrorizoi Kuvendin e Kosovës me gaz lotsjellës.
20 vjet rresht ai gënjeu qytetaret se si Kryeministër nuk do të dialogoi dhe nuk do të zgërdhihet me asnjë zyrtarë serb. Përhapi bindjen se në Kosovë nuk jetohet dhe i priu fushatës së egër kundër njerëzve të luftës duke përdorur militantët e tij për ti demonizuar skajshmërisht dhe duke i kategorizuar si tradhtarë”, deklaroi ajo.

Për 20 vjet rresht për Albin Kurtin, asgjë nuk kishte vlerë, as jeta e njeriut, përveç egos së tij dhe etjes për pushtet, potencoi Musliu dhe shtoi se “sot, kur vendi përballet me kriza të mëdha ekonomike dhe sociale, dhe Albin Kurti është kryeministër të gjitha deklaratat e tij i shkelë me cinizëm dhe me arrogancë. Është e vërtetë se me kriza po përballet e tërë bota, por nuk ka një kryeministër në botën demokratike që është treguar arrogant me popullin e tij si Albin Kurti, dhe kjo e bënë diferencën mes një lideri dhe një demagogu. Sot, ai e harroi bashkimin kombëtar, ngrihet në këmbë për flamur dhe himnin shtetëror, pranon ushtrinë, pranon edhe policinë që dikur i quante majmunë, dialogon dhe zgerdhihet me Bernabiqin, me Vuçiqin dhe me të gjithë zyrtarët tjerë serb, shëtite me xhipa të zi, banon në një shtëpi luksoze dhe shoqërohet nga dhjetëra bodigardë dhe shpenzon buxhetin për shëtitje turistike. Asnjëherë deri më sot, nuk ka pasur më pak transparencë për sa i përket dialogut me Serbinë, kurse marrëveshjet që dikur i quante tradhti, sot i nënshkruan dhe i quan sukses të punës së tij”.

Deputetja Musliu goditi mënyrën e ardhjes në pushtet të Kurtit.

“Sa herë e kupton se populli, të cilit ia mori votën me rrena, fillon të kërkojë llogari Albini del në opinion dhe fillon me tregu përrallat e tij ose ndonjëri nga Ministrat e tij të dështuar del dhe fillon ta lavdëroj shefin apo nxjerr një temë për ta shpërqendruar vëmendjen nga dështimet e tij. Me një dëshmi të arrogancës dhe mos përgjegjësisë së tij, po e shohim edhe tani kur po hyjmë në gjysmën e dytë të shtatorit dhe shkollat tona janë ende mbyllë”, ceku ajo, duke vijuar se “Albin Kurti ka harruar edhe deklaratat e tij krah sindikalistëve kur ishte ende në Opozitë që më të drejtë u cituan sot nga kolegia, Time Kadriu.

Deputetja Musliu sulmoi qasjen e kësaj Qeverie ndaj Sindikatave.

“Qasja e tij ndaj Sindikatave është jo vetëm ofenduese, tallëse dhe shqetësuese por edhe e rrezikshme.
Albini bashkë me Ministren Nagavci duhet të marrin përgjegjësinë për hyrjen në këtë qorrsokak, për mos shfrytëzimin e dialogut me Sindikatat dhe për deklaratat skandaloze që po i linçojnë nëpër media.
Nëpër ato media të cilat burri i Presidentes i quajti Organizatë e Përbashkët kriminale dhe nuk pati asnjë sanksion”.

Po ashtu, ajo ka goditur punën e ministres Gërvalla, e cila po vazhdon me Vendetën e saj personale në MPJD përballë së cilës Albin Kurti si duket ose është ideuesi ose thjeshte është i pafuqishëm. Diplomacia e Kosovës, edhe ashtu e re, është në gjendje shkatërrimi sepse në MPJD po aplikohen masa të dhunshme dhe standarde të dyfishta. Gërvalla, duke mbrojtur Ambasadorin e vet politik, nuk hezitoi të akuzonte prokurorinë se po punojnë me tendenca, theksoi ajo.

Ministri Murati, potencoi deputetja Musliu për vonesat e pagave. “Përveç dështimit në nivel të përgjithshëm të përgjegjësive, me ditë të tëra la pa bukë mijëra familje me të vetmin qëllim që grevistët të thyhen. Por, qytetarët e këtij vendi kanë të drejtë greve dhe proteste. Çdo tendencë për të shtypur këtë grevë është një hap drejtë diktaturës. Qasja e Albin Kurtit dhe e këshilltarëve të tij ndaj z. Rrahmani, është e papranueshme dhe duhet të dënohet, ceku Musliu dhe shtoi “në vend të dialogut ata kanë zgjedhur ofendimet talljet dhe linçimet personale të përcjella edhe me masa ndëshkuese të paligjshme”.

Tentimi për ti dhënë grevës një karakter politik është një përpjekje për të mbuluar paaftësinë e Kryeministrit dhe Ministres së arsimit për të menaxhuar me krizën, deklaroi Musliu.

“Sado që tentohet të ndërpritet zinxhiri i solidaritetit me grevistët, kjo nuk do të ketë sukses.
Mbështes grevistët dhe i bëjë thirrje të gjithë punëmarrësve në Kosovë, të sektorit publik dhe të atij privat që mos të tolerojnë degradimin e të drejtave dhe dinjitetit të tyre, njëjtë sikurse i bëjë thirrje Kryeministrit që të ulet dhe të bëjë zgjidhje bashkë me ta”, potencoi Ganimete Musliu.

Në fund, ajo shtroi dy pyetje rreth shkollimit të fëmijëve të pushtetarëve aktual: E para sa prej anëtarëve të kabinetit të Albin Kurtit i çojnë fëmijët e tyre në shkollat publike, sepse vetëm ata e kuptojnë domosdoshmërinë e reformave për cilësi në arsim, e cilësia nuk arrihet duke i nëpërkëmbur e poshtëruar mësimdhënësit, por duke biseduar me ta për të gjetur zgjidhjen më të mirë.
Dhe pyetja ime dytë është për Kryeministrin, në cilën shkollë ndjek mësimet vajza jote?

Sepse siç ke potencuar ti nuk je as vëlla as qytetar i thjeshtë je kryeministër dhe ke përgjegjësi për të krijuar kushte të barabarta për fëmijët e Kosovës, deklaroi deputetja Ganimete Musliu.