GAP: Komunat në krizë, borxhe, zbrazje dhe mungesë transparence

Instituti GAP të enjten ka publikuar raportin “Letërnjoftimi i Komunave 2025”, i cili paraqet trendet kryesore të zhvillimeve në 38 komunat e Kosovës, duke përfshirë fusha si: demografia, territori, arsimi, mirëqenia sociale, administrata, buxheti, ndërmarrësia, shërbimet publike dhe transparenca.
Në njoftimin e GAP-it thuhet se gjetjet tregojnë ndryshime të theksuara demografike, ekonomike dhe sociale.
“Rënia e përgjithshme e popullsisë, migrimi i brendshëm drejt zonave urbane, numri i lartë i banesave dhe ndërtesave të pashfrytëzuara, ndryshimet në numrin e nxënësve dhe personelit arsimor, si dhe faktorë të tjerë të ngjashëm, reflektojnë shpërndarjen në ndryshim të banorëve brenda komunave të Kosovës. Ndërkaq, ndonëse vlera e buxhetit komunal ka shënuar rritje graduale gjatë dekadës së fundit, të hyrat vetanake mbesin të ulëta, ndërsa niveli i borxheve të pambledhura vazhdon të jetë i lartë. Po ashtu, shpenzimet komunale për shkak të obligimeve përmbarimore dhe gjyqësore janë dyfishuar brenda një viti, duke krijuar presion shtesë mbi financat e komunave”, thuhet në njoftim.
Në fushën e ndërmarrësisë, theksohet se komunat e mëdha vazhdojnë të jenë qendra kryesore ekonomike, duke gjeneruar pjesën më të madhe të qarkullimit të bizneseve dhe të regjistrimeve të bizneseve të reja.
“Raporti gjithashtu evidenton hendekun gjinor në pozitat udhëheqëse në komuna. Përkundër disa përmirësimeve në transparencën buxhetore dhe rritjes së përgjithshme të punësimit, performanca e komunave në fusha kyçe mbetet e ulët. Këto gjetje dëshmojnë nevojën për politika më gjithëpërfshirëse dhe efektive, me qëllim të një planifikimi më të qëndrueshëm në nivel lokal”, thuhet në raport.