GAP: NP kanë probleme menaxheriale e operative, mbingarkesë me staf e operim me humbje

Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës”, të mbështetur nga Ambasada Britanike në Kosovë, kanë mbajtur konferencë për media, ku janë prezantuar gjetjet e raportit “Menaxhimi financiar dhe transparenca në ndërmarrjet publike”.
Nga të dhënat e paraqitura rezulton se ndërmarrjet publike (NP) në Kosovë vazhdojnë të përballen me probleme të shumta, të cilat jo në pak raste po ndikojnë edhe në cilësinë e shërbimeve që ofrohen.
“Këto ndërmarrje kryejnë shërbime me rëndësi primare për qytetarët si: menaxhimi dhe ofrimi i shërbimeve të ujit, kanalizimit, telekomunikimit, menaxhimit të mbeturinave, shërbimeve postare, energjetike dhe të transportit. Raporti tregon se pjesa më e madhe e ndërmarrjeve publike kanë probleme në planifikimin strategjik sa i përket investimeve dhe zgjerimit të shërbimeve, probleme menaxheriale dhe operative, mbingarkesë me staf dhe operim me humbje”, thuhet në komunikatën e Institutit GAP.
Në raport po ashtu thuhet se një numër ndërmarrjesh, siç është Telekomi, në kohën kur do të duhej të gjeneronte dividentë, është varur nga subvencionimi i Qeverisë për të mundësuar funksionimin në treg.
“Viti më sfidues për këto ndërmarrje ka qenë periudha e pandemisë, veçmas viti 2020, ku nga 17 NP qendrore janë gjeneruar të hyra në vlerë prej 329 milionë euro, përderisa për periudhën e njejtë, shpenzimet kanë qenë 333 milionë euro. E vetmja ndërmarrje në këtë periudhë që ka funksionuar me fitim ka qenë Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila në vitin 2020 ka pasur fitim neto 24 milionë euro”, thuhet në komunikatë..
Në vitin 2021, nga 17 NP, 11 prej tyre kanë operuar me fitim, duke përfshirë KEK-un, Trepçën, Postën dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina.
Sipas GAP, te ndërmarrjet rajonale të ujësjellësit, problemet më të theksuara janë shkalla e ulët e faturimit dhe arkëtimit. Në vitin 2020, mesatarja e faturimit tek të gjitha ndërmarrjet rajonale të ujit nuk ka kaluar 50% të ujit të shpenzuar.
Në anën tjetër, shpenzimet që kanë shënuar rritje më të madhe kanë qenë ato për kategorinë e pagave. Paga mesatare në NP është 768 euro, përderisa në sektorët e tjerë publik, kjo mesatare është 612 euro. Në sektorin privat, paga mesatare është 418 euro apo për 350 euro më e vogël se ajo në NP.
Po ashtu, tek ndërmarrjet publike qendrore, nga të dhënat e vitit 2017, vërehet se numri më i madh i të punësuarve janë burra. Tek ndërmarrjet sikur KEK-u, punësimi i grave është në nivelin e vetëm 5.5%, tek Infrakos 6%, KRU Prishtina 12% dhe Telekomi 26%.
Ndërmarrjet publike qendrore kanë po ashtu probleme të theksuara me transparencën, ku mungojnë një numër i madh i dokumenteve që do të duhej të ishin publike në faqet e tyre zyrtare në internet.
“Në këtë drejtim nuk bën përjashtim as Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (NjPMNP), në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, e cila dokumentet e fundit të publikuara në faqen e saj që lidhen me ndërmarrjet publike janë të vitit 2018. Kjo njësi nuk publikon tash e disa vite as raportin e performancës për ndërmarrjet publike, ndonëse kjo obligohet me Ligjin për Ndërmarrjet Publike”, thuhet në komunikatë./IndeksOnline/