Gara: Ende s’kemi ftesë për vazhdimin e gërmimeve në Serbi, pala serbe refuzoi takimin në Prishtinë
Qasja në arkivat e institucioneve të Serbisë dhe vazhdimi i gërmimeve në lokacionet e shënjuara në territorin serb mbeten dy nga kërkesat kryesore të Kosovës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.
Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha në një intervistë për Ekonomia Online se lokacioni i Batajnicës vazhdon të mbetet prioritet, pasi ekzistojnë të dhëna se aty mund të ndodhen mbetjet mortore edhe e të paktën 58 viktimave të tjera.
Gara tha se pas shumë përpjekjeve për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të 2 majit, në fillim të këtij viti është mbajtur takimi i parë i Komisionit të Përbashkët, ndërsa më pas edhe një takim tjetër në nivel pune.
“Takimi i radhës, pastaj, takimi po e them në një nivel të punës, pra takimi punues në nivel të zëvendësuesve është mbajtur në muajin prill dhe sigurisht edhe në zbatim të deklaratës apo në adresim të zotimeve që derivojnë nga deklarata e përbashkët, i kemi theksuar në vazhdimësi kërkesat të cilat janë prezantuar gjatë atij takimi″, tha ai.
Sipas Garës, Kosova ka paraqitur vazhdimisht kërkesat ndaj Serbisë, duke i konsideruar dy si themelore.
“E para është gjithsesi kërkesa për qasje të plotë në arkivat e institucioneve të Serbisë mbi të gjitha në këtë rast arkivave të ushtrisë jugosllave duke theksuar ose duke e vënë me theks të veçantë apo me prioritet kërkesën e kryetarit të delegacionit të Kosovës, z. Hoti, më 1 qershor 2023 pra diku një muaj pas miratimit të deklaratës, e adresuar për presidentin e Serbisë, po ashtu edhe për BE-në, përmes të cilës kërkohej një qasje e plotë në arkivin e riklasifikuar të brigadës së motorizuar 37 përgjegjëse për krimet e përmasave gjenocidiale të kryera nga Serbia në territorin e Kosovës, në regjionin e Drenicës. Dhe kjo lidhet pikërisht me disa prej gërmimeve apo lokacioneve që ne i kishim duke i kryer ose realizuar në këtë zonë e po ashtu lidhej edhe me varret masive në territorin e Serbisë, në regjionin e Rashkës”, tha ai.
Duke folur për varrezat masive të zbuluara në Serbi, Gara tha se deri tani në regjionin e Rashkës janë konfirmuar dy lokacione të varrezave masive në Rudnicë dhe Kizhevak, ku pas gërmimeve të realizuara ndër vite janë zhvarrosur mbetjet mortore të 61 viktimave të luftës, kryesisht nga masakrat e Rezallës, Qikatovës së Vjetër dhe Zabelit të Ulët.
Gara ka theksuar se të dhënat e publikuara nga institucionet serbe në vitin 2010 flisnin për rreth 250 viktima të mundshme në varrezat masive në rajonin e Rashkës, çka sipas tij tregon se ekzistojnë ende lokacione të tjera të paadresuara.
“Tanimë i kemi dy raste të konfirmuara pra fjala është për lokacionin Gurorja në Rudnicë dhe lokacionin në afërsi të ish-minierës në Kizhevak, dhe nga këto dy lokacione pra nga gërmimet që janë realizuar, për një periudhë diku 10 vite për shkak të politizimit të vazhdueshëm ndaj këtij procesi nga pala serbe, pra ka ndodhur kjo vonesa për më shumë se 10 vjet në këto dy lokacione”.
Duke folur për Batajnicën, Gara ka thënë se përkundër zhvarrimit të më shumë se 700 viktimave gjatë viteve 2001-2002, analizat e kryera me partnerët ndërkombëtarë dhe pamjet satelitore tregojnë se në këtë zonë mund të ketë ende mbetje mortore të të paktën 58 viktimave të tjera.
“Kur jemi tek lokacionet, një prej rasteve me prioritet të veçantë që është pjesë e agjendës në vazhdimësi të këtyre viteve të fundit mbetet lokacioni i varrit masiv në Batajnicë… pra në Batajnicë vazhdon të jetë edhe varri masiv me mbetjet mortore të them minimumi ose të paktën 58 viktimave”, tha ai.
Ai ka bërë të ditur se pala serbe ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin e Grupit Punues për Persona të Zhdukur të planifikuar në Prishtinë gjatë muajit mars, si dhe ka refuzuar mbajtjen e një takimi në nivel ekspertësh mjekoligjorë.
“Kur jemi te këto dy mekanizma të tjerë, e kemi pas një takim në muajin shkurt në kuadër të grupit rajonal për persona të zhdukur, ndërsa për takim të grupit punues, pra me ndërmjetësim të komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq kemi qenë të gatshëm që takimin ta mbajmë në muajin mars në Prishtinë, megjithatë ka qenë pala serbe ajo që ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim, ashtu siç ka qenë pala serbe ajo që ka refuzuar edhe mundësinë e mbajtjes së takimit në nivel të ekspertëve mjekoligjorë përmes të dy delegacioneve, për të diskutuar edhe planin e punës dhe dinamikën që duhet përcjellë ky proces në terren”, tha ai.
Gara tha se Kosova do të vazhdojë të mbetet shembull në rajon në trajtimin e informacioneve për personat e zhdukur. Sipas tij, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit janë trajtuar 14 lokacione, prej të cilave 13 lidhen me procesin e gërmimit në kërkim të personave të zhdukur. Nga këto lokacione janë gjetur mbetje mortore që i përkasin të paktën 10 individëve, ndërsa identifikimi përfundimtar pritet pas analizave të ADN-së.
Ai ka theksuar se në territorin e Kosovës janë adresuar rreth 2.700 lokacione për gërmime vlerësuese, duke e cilësuar procesin si jashtëzakonisht kompleks dhe të ndërlidhur me shqyrtimin e vazhdueshëm të informatave të reja.
“Ka edhe një sërë lokacionesh të cilat janë duke u trajtuar në vazhdimësi, por mos të harrojmë se në territorin e Republikës së Kosovës kemi diku deri në 2700 lokacione të adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues. Pra, i bie, pa dashur asnjëherë që ky proces të interpretohet në terma statistikorë, por i bie për 11 mijë kilometra katror, pothuajse çdo 4 kilometra kemi një lokacion. Që rrjedhimisht çdo informatë që po e pranojmë pashmangshëm mund të ndërlidhet me një lokacion që është trajtuar gjatë viteve paraprak, qoftë nga institucionet e Republikës së Kosovës apo edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë që kanë pasur mandat në këtë proces”, tha ai.
Duke folur për lokacionin e Kozhles në Serbi, Gara ka thënë se procesi po përballet me vonesa të ngjashme me ato që janë regjistruar më herët në Rudnicë dhe Kizhevak.
“Lokacioni i fundit që është trajtuar ose është bërë përpjekje të trajtohet gjatë këtyre dy viteve të fundit në territorin e Serbisë ka qenë lokacioni në afërsi të deponisë së mbeturinave në Kozhle. Ky lokacion ka qenë shumë sfidues dhe në qoftë se i referohemi ose i shikojmë deklaratat dy vite më parë, me rastin e fillimit të gërmimeve të këtij lokacioni, ndër të tjera i kemi shprehur edhe një drojë ose shqetësim. Kërkesa jonë ka qenë që lokacioni në Kozhle të mos jetë një kopje e keqe e lokacioneve ose e përvojave që kemi pasur në Rudnicë të Rashkës që përmenda pesë vite në lokacion, deri në konkretizimin ose lokalizimin e varrit masiv. Apo edhe lokacioni në Kizhevak të Rashkës që po ashtu ka marrë pak a shumë deri në pesë vite. Dhe rrjedhimisht e njëjta histori po e përcjellë lokacionin e Kozhles, si dhe lokacionet të tjera tashmë të shënjuara në territorin e Serbisë”, tha ai.
Ai tha se gjatë këtij viti ende nuk ka pasur ftesë për vazhdimin e gërmimeve në Kozhle apo në lokacione të tjera prioritare në Serbi.
“Pra këtë vit ne ende s’kemi ftesë për të dërguar ekipin e kolegëve të Institutit për Mjekësi Ligjore për të përcjellë gërmimet në këtë lokacion. Apo s’kemi një datë për mundësinë e fillimit apo për mundësinë e vazhdimit të gërmimeve në lokacione të tjera, në mënyrë të veçantë në këtë rast, siç e theksova edhe lokacionin në Batajnicë, meqë është një prej rasteve më prioritare që po adresojmë në vazhdimësi në kërkesat tona. Pra gjithmonë lokacionet në territorin e Serbisë kanë qenë sfidë”, tha ai.
Gara ka vlerësuar se vetëm presioni më i madh i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë mund të sjellë rezultate konkrete në këtë proces.
“Prandaj pak a shumë ka qenë më se e nevojshme dhe jemi në koordinim të vazhdueshëm edhe me partnerët ndërkombëtarë, meqë përvoja ka treguar që vetëm një presion më i madh i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë mund të ketë, prapë po e përdor me shumë kujdes fjalën, progres ose rezultate në këtë proces. Deri më tani kemi pesë varreza masive në territorin e Serbisë të konfirmuara. Janë tri rastet ose varret e para masive në vitet e para pas luftës, pra në kohën e qeverisë Gjingjiç që lidhej pastaj edhe me një presion nga ish-Tribunali i Hagës, pra po flasim për vitet 2001-2002. Dhe kemi këto dy lokacionet e fundit, pra Rudnicën edhe Kizhevakun, që lokalizimi i varrit masiv është bërë i mundur vetëm me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare në kuptim edhe të ofrimit të pamjeve satelitore mbi bazën e të cilave pastaj është arritur të saktësohet lokacioni i varrit masiv”, tha ai.
Sipas Garës, institucionet serbe kishin përmendur qysh në vitet 2000-2001 ekzistencën e një liste me rreth 16 varreza masive në territorin e Serbisë.
Ai ka thënë se Kosova nuk e ka parë këtë listë dhe se mbetet e paqartë nëse pesë varrezat e konfirmuara deri tani janë pjesë e saj apo jo.
“Kur jemi te adresimi i lokacioneve të para varreza masive në territorin e Serbisë, pra gjatë vitit 2000 dhe 2001. Në atë kohë qeveria e Serbisë pati themeluar një grup punues në kuadër të Ministrisë së Brendshme për t’i adresuar krimet e luftës. Dhe qysh në atë kohë është potencuar lista prej diku 16 varrezash masive në territorin e Serbisë. Tash ne deri më tani kemi pesë varreza të konfirmuara. Listën nuk e kemi parë, prandaj nuk e dimë nëse këto pesë varreza janë pjesë e asaj liste prej 16. Nëse janë, atëherë kemi edhe 11 varreza masive në territorin e Serbisë. Nëse nuk janë, atëherë kemi edhe 16 varreza masive në territorin e Serbisë”, tha ai.

