14:32 / E Hënë, 25 Mars 2019 / indeksADMonline

Gara në LDK, ende s’ka kandidatura për kryetar

Ka dhjetë ditë që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka hapur zyrtarisht procesin e zgjedhjeve të brendshme. Por pavarësisht kohës që ka kaluar, ende askush nuk e ka shpallur kandidaturën për të marrë timonin e kësaj partie. Një gjë e tillë është konfirmuar për Indeksonline edhe nga zëdhënësi i partisë, Besnik Mustafa.

“Procesi zgjedhor në LDK tani sapo ka filluar më 15 mars dhe zyrtarisht askush nuk ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së. Kandidaturat për kryetar të nëndegës, degës dhe partisë zyrtarisht shpallen në Kuvendin e nëndegës, degës dhe të partisë”, tha Mustafa.

Tutje i njëjti ka deklaruar se LDK është parti e hapur, ka potenciale të kuadrove dhe se do të zhvillojë procedura të plota demokratike zgjedhore.

“Falë këtyre kuadrove dhe këtyre procedurave demokratike, LDK do të vazhdojë të mbetet partia më e madhe dhe më demokratike e Kosovës”, shtoi tutje zëdhënësi i LDK-së.

Pavarësisht faktit se askush nuk e ka hapur kandidaturën, në LDK janë shumë emra të cilët po përmenden si mundësi e kandidimit për t’u zgjedhur në krye të partisë.

Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti, Agim Veliu  e Fatmir Sejdiu janë vetëm disa prej emrave të mundshëm për të hapur këtë garë publikisht brenda ditëve.

Lidhja Demokratike vazhdon të udhëhiqet nga Isa Mustafa, i cili njëherësh ishte dhe kryeministër i vendit, por që mandati i tij nuk shkoi deri në fund./Indeksonline/