Gara për Istogun/ Kush janë emrat që po përfliten nga LDK-ja?

Të gjitha partitë politike tashmë kanë hyrë në një fazë të zhvillimeve të shumta brenda tyre, kur kemi parasysh se zgjedhjet lokale po afrohen dhe kandidaturat për të marrë pozitën e kryetarit të komunave të Kosovës, tashmë ka filluar të publikohen nga shumë parti.
Kur flasim për komunat e Kosovës, garë interesante pritet të jetë edhe në atë që njihet si bastioni i LDK-së. Bëhet fjalë për Istogun, vendlindjen e presidentit historik Ibrahim Rugova.
Derisa në dy mandatet e fundit me Istogun ka udhëhequr LDK-ja, me Haki Rugova, këtë vit po pritet një garë më e ashpër brenda këtij subjekti.
IndeksOnline ka kontaktuar me tre nga protagonistët e kësaj gare, me Haki Rugovën, Ilir Feratin dhe Shkëmb Manaj.
Derisa Rugova nuk është lajmëruar në thirrjen telefonike, dy kandidatët e tjetër potencial për pozitën e kandidatit të LDK-së për Istog, kanë shpalosur për IndeksOnline se çfarë po ndodh atje.
Ilir Ferati ka treguar se aktualisht janë në faza të konsultimeve të brendshme, duke mos mohuar kështu kandidimin e tij nga LDK-ja për të marrin timonin e Istogut.
“Jemi në proces të diskutimeve në degë, ende nuk e kemi finalizuar si proces. Atmosfera është shumë e mirë, diskutimet janë shumë konstruktive… Vet fakti që më keni thirr ju gjasa ka që unë të zgjidhem. Besoj që një takim do ta kemi brenda javës, dhe nëse arrijmë ta finalizojmë do të ju informojmë”, tha Ferati për IndeksOnline.
Në anën tjetër Shkëmb Manaj ka deklaruar se nuk ka pasur një kërkesë të degës së tij për një kandidim të tij, por se në rast të një kërkese të tillë ai do të kandidonte.
“Nuk kam asnjë kërkesë prej degës së LDK-së për një kandidatur. Nëse dega e vlerë3son jam i gatshëm”, theksoi Manaj./IndeksOnline/