75 Mall Live Search
20:14 / E Shtunë, 23 Gusht 2025 / BA

Garancitë e sigurisë për Ukrainën, Rumania shprehet e gatshme të ofrojë bazat e saj ushtarake NATO-s

Kryeministri rumun Ilie Bolojan ka deklaruar se sigurimi i bazave ushtarake për aeroplanët luftarakë F-35 për aleatët e NATO-s mund të jetë kontributi i vendit të tij në përpjekjet që synojnë arritjen e paqes së qëndrueshme në Ukrainë.

Sipas raportimit të mediave  atij iu kërkua të sqaronte qëndrimin e qeverisë në lidhje me kërkesën e udhëheqësve evropianë, drejtuar Shteteve të Bashkuara për të dërguar aeroplanë luftarakë F-35 në Rumani si pjesë e garancive të sigurisë për Ukrainën.

Dhe Bolojan theksoi se që kur u ngrit çështja e mbështetjes së garancive të sigurisë për vendosjen e paqes së qëndrueshme në Ukrainë, Rumania ka mbetur e vendosur në të paktën dy pika.

E para, tha ai, është se vendi nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë.

Pika e dytë në diskutimet me aleatët ishte se, duke pasur parasysh anëtarësimin e Rumanisë në NATO, bazat e saj ushtarake – të cilat tashmë operohen bashkërisht nga forcat rumune dhe të NATO-s, kryesisht forcat ajrore – duhet të jenë në dispozicion për përdorim nga trupat e NATO-s, forcat amerikane dhe aleatë të tjerë.

“Edhe sot, patrullime ajrore po kryhen nga aeroportet tona, misionet e policisë ajrore po monitorojnë situatën në Detin e Zi dhe po organizohen stërvitje të përbashkëta ushtarake. Pra, kjo mund të jetë, si të thuash, kontributi i Rumanisë për të siguruar paqe të qëndrueshme në Ukrainë: ofrimi i bazave tona ushtarake për aleatët e NATO-s”, citohet të ketë thënë Bolojan.

Raportet e mëparshme të medias treguan se SHBA-të po planifikojnë të luajnë vetëm një rol minimal në çdo garanci sigurie të ardhshme për Ukrainën.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance tha se vendet evropiane duhet të marrin përsipër angazhimet kryesore financiare në një marrëveshje sigurie të ardhshme për Ukrainën.

Ndërkohë, vënë në pah mediat, mëngjesin e së mërkurës, 20 gusht, në selinë e NATO-s u zhvillua një takim i Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s në nivelin e ambasadorëve të shteteve anëtare.

Në takim u diskutuan rezultatet e negociatave në Uashington dhe procesi i përgatitjes së garancive të sigurisë për Ukrainën.