Garda Kombëtare përgatit kadetët për mbijetesë në kushte dimërore
Në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim të Gardës Kombëtare u realizua trajnimi i Mbijetesës në kushte dimërore, për kadetët e Qendrës për Studime Universitare.
Pjesëmarrësit u aftësuan në punën me litarë, repelim, ngjitje teknike, ndihmë të parë dhe menaxhim të situatave emergjente, si edhe realizuan ushtrime praktike të mbijetesës në natyrë, përfshirë ndërtimin e strehimoreve, orientimin në terren, ndezjen e zjarrit dhe sigurimin e burimeve jetike.
Pavarësisht kushteve të ashpra dimërore, pjesëmarrësit demonstruan disiplinë, përkushtim dhe qëndrueshmëri të lartë fizike e mendore, duke forcuar gatishmërinë për ndërhyrje efektive në operacione reale.

