Garë e “nxehtë” në Fushë- Kosovë, VV – PDK nisin bisedimet, konfirmohet takimi ndërmjet dy partive

Garë e ‘’nxehtë’’ pritet të jetë në Fushë-Kosovë deri më 9 nëntor atëherë kur qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ardhshëm për katër vjet.
Derisa Besnik Osmani nga LDK-ja para pak minutash arriti marrëveshje me Nismën Socialdemokrate të Kosovës në anën tjetër pas arritjes së marrëveshjes me AAK-në, Valon Prebreza i VV-së po synon të arrijë marrëveshje edhe me PDK-në.

Në një prononcim për Indeksonlinen Prebreza shprehet se këto ditë do të zhvillojë takim me kandidatin Rrahim Tërnava nga Partia Demokratike e Kosovës.
‘’Unë i kam ftuar të gjithë kandidatët që kanë garu për një takim me kandidaten e AAK-së veçse jemi dakorduar për të vazhduar së bashku pres edhe bashkëpunim nga ana e kandidatëve të tjerë, gara është e hapur dhe është mundësi e mirë sepse votuesi i Fushë-Kosovës është pacaktuar dhe opozita ka marrë shumicën e votave, me kandidaten e PDK-së kemi pasur komunikim, por në ditët në vazhdim pres një komunikim tamam zyrtar, sot ose nesër pres me u taku me kandidatin e PDK-së’’, thotë Prebreza për Indeksonline.
E për takimin e arritjen e një koalicioni të mundshëm midis VV-së dhe PDK-së ka folur edhe vetë kandidati i PDK-së, Rrahim Tërnava.
Tërnava në një përgjigje për Indeksonlinen thotë se do të ketë takime edhe me Prebrezën e VV-së e Osmanin e LDK-së.
‘’Po po vetëm jemi duke e pritur qendrën me e marr një vendim, edhe po kemi me zhvillu takim edhe me Valonin edhe me Besnikut, vetëm duhet me prit një vendim nga qendra’’, thotë Tërnava për Indeksonline.
Në bazë të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Valon Prebreza ka arritur të grumbullojë 45.18% apo 9,669 Vota.

Në pozitën e dytë është rënditur Besnik Osmani nga LDK-ja me 36.63% apo 7,840 Vota ndërsa Rrahim Tërnava në pozitën e tretë ka grumbulluar 16.16% apo 3,459 Vota./Indeksonline/