Garë e nxehtë në Junik, dorëzohet padia e radhës
Në prag të zgjedhjeve të 9 nëntorit, gara politike në Junik po bëhet gjithnjë e më e nxehtë.
Kryetari aktual i Komunës së Junikut dhe kandidati për një mandat të ri, Ruzhdi Shehu, ka bërë të ditur se ka dorëzuar padi për kompensim dëmi ndaj Agron Kuçit dhe subjektit politik AAK – Dega në Junik, për shpifje dhe fyerje publike, shkruan IndeksOnline.
Në një postim në facebook, Shehu theksoi se AAK dhe z. Kuçi nuk kanë kërkuar falje dhe nuk kanë fshirë deklaratat që ai i konsideron shpifëse, ndaj çështja tashmë do të përfundojë në gjykatë.
“Me këtë çështje do të ballafaqohemi në gjykatë ku do të shpallemi fitues, njëlloj sikurse në zgjedhjet e 9 nëntorit”, ka shkruan Shehu.
Shehu gjithashtu bëri të ditur se është dorëzuar një kërkesë në Prokurorinë e Shtetit, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës për të garantuar prani të mjaftueshme të policisë ditën e zgjedhjeve, me qëllim parandalimin e incidenteve të mundshme.
Postimi i plotë:
Duke qenë se z. Agron Kuçi dhe subjekti politik AAK Dega në Junik nuk kanë kërkuar falje dhe nuk kanë fshirë deklaratat e tyre shpifëse dhe fyese, ju njoftoj se sot me datë 07.11.2025, kam parashtruar padi për kompensimin e dëmit për shkak të shpifjeve dhe fyerje nga z. Kuçi dhe AAK Dega në Junik. Lidhur me këtë çështje do të ballafaqohemi në gjykatë ku do të shpallemi fitues, njëlloj sikurse në zgjedhjet e 9 nëntorit 2025.
Së shpejti, do të parashtrojmë edhe paditë tjera civile dhe kallëzimet penale të cilat i kemi paralajmëruar.
Njoftojmë po ashtu të gjithë junikasit që sot zyrtarisht kemi dërguar një kërkesë në Prokurorinë e Shtetit, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës. Me këtë rast kemi kërkuar që në ditën e zgjedhjeve më 9 nëntor 2025 të angazhohet prezencë e mjaftueshme e zyrtarëve policor dhe zyrtarëve tjerë kompetent. Vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohen incidentet e mundshme të cilat janë paralajmëruar publikisht nga eksponentët e AAK-së në Junik.
Duhet sqaruar po ashtu se orëve të fundit kemi pranuar disa informacione nga qytetarët e Junikut, ku thuhet se eksponentët e AAK-së janë duke hyrë në shtëpitë e tyre dhe po tentojnë blerjen e votës. Për fat të mirë, në mandatin tonë të parë kemi instaluar kamerat e sigurisë në Junik dhe aktualisht e gjithë Komuna e Junikut monitorohet 24/7 nga këto kamera të sigurisë. Përndryshe e falenderojmë publikisht Policinë e Kosovës për angazhimin edhe përkushtimin e tyre sidomos gjatë ditëve dhe orëve të fundit. Absolutisht secili rast është duke u raportuar dhe duke u trajtuar nga organet kompetente.
Qytetarëve të Junikut ju bëjmë thirrje që të vazhdojnë të ruajnë qetësinë deri në fund të këtij procesi. Ju lutem të injoroni provokimet, shantazhet dhe kërcënimet e kundërshtarëve tanë politik. Njëkohësisht i falenderojmë të gjithë junikasit për bashkëpunimin e tyre dhe informatat e vazhdueshme që po përcjellin lidhur me parregullsitë e orëve të fundit.
Padyshim që më 9 nëntor do të dalim faqebardhë dhe fitorja do të jetë e jona. Junikasit nuk shiten, nuk blihen dhe nuk mashtrohen.
Vazhdojmë +4.

