21:16 / E Hënë, 05 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Gashi: ARKEP i ka kërkuar Viber-it ta vendos prefiksin +383

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi, ka thënë se kanë sensibilizuar të gjithë rregullatorët në botë se Kosova është në proces të implementimit të kodit 383. Kjo është bërë nëpërmjet dërgimit të letrave tek ta, ku edhe u është kërkuar që sa më parë të fillojnë përdorimin e kodit 383 në thirrjet në drejtim të Kosovës.

I kontaktuar nga “Indeksonline”, Gashi ka thënë se ARKEP është duke përcjellë përdorimin e këtij kodi nga aplikacionet që e shfrytëzojnë atë. Ndërsa, ai ka bërë me dije se tashmë shumë aplikacione e kanë listuar Kosovën me kodin +383 në sistemin e tyre.

“ARKEP është duke mbikëqyrur në vazhdimësi implementimin e kodit shtetëror telefonik +383, i cili në aspektin teknik është duke u realizuar nga operatorët e telefonisë në Republikën e Kosovës. Në ndërkohë, ARKEP ka sensibilizuar të gjithë rregullatorët në botë për faktin se Kosova është në proces të implementimit të kodit 383, nëpërmjet dërgimit të letrave tek ta dhe duke kërkuar që sa më parë të gjithë operatorët të fillojnë përdorimin e kodit 383 në thirrjet në drejtim të Kosovës. ARKEP poashtu është duke përcjellë edhe përdorimin e kodit 383 nga aplikacionet e ndryshme që e shfrytëzojnë ata, për të dërguar mesazhet verifikuese për identifikim të numrave përdorues në Kosovë. Tashmë shumë aplikacione me përdorim global e kanë listuar Kosovën me 383 në sistemet e tyre, e një gjë e tillë ka ndodhur së voni edhe me aplikacionin shumë të përdorur tek ne Viber”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, ARKEP kishte kontaktuar në nëntor të vitit 2017 shërbimin mbështetës të Viber-it për t`i kërkuar vendosjen e prefiksit +383 dhe kjo ishte konfirmuar pas implementimit të procesit teknik.

“ARKEP kishte kontaktuar me shërbimin mbështetës të Viber që në nëntor të vitit të 2017, duke kërkuar që të vendoset prefiksi 383 në listën e shteteve dhe përdorimi i 383 i ishte konfirmuar në atë kohë nga ky shërbim, pas implementimit të procesit teknik. Shfrytëzoj rastin poashtu të ftoj edhe qytetarët që të ju drejtohen administratorëve të aplikacioneve me kërkesën që Kosova të listohen me kodin shtetëror në të gjitha platformat globale në rast se vërejnë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka shtuar se se ARKEP ka miratuar edhe planin e migrimit të kodeve aktuale në kodin shtetëror +383, ku edhe ka përcaktuar afatet për implementim të këtij kodi. Kurse afati i fundit për kalim në 383, sipas planit të migrimit, është 30 qershor i vitit 2018./Indeksonline/

Temat: