Gashi e pranon se ka dallime në deklaratat e tij pranë ZPS-së dhe atyre të sotme, gjykatësja i kërkon përgjigje të sakta

Dëshmitari Safet Gashi e pranoi se ka dallime në deklaratat që i ka dhënë më herët pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe dëshmisë që po e jep tani në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.
“Ka dallim, e pranoj! Ama dallimi, munet me harru njeri sikur unë që kam harru. Jam kanë në 2019 shtator, unë kam menu që jam kanë në 2019 në prill, e patë edhe vetë gabimin që e kam ba se e kam harru, harron njeri. 5 vjet kanë kalu se le ma po më folni për do fjalë që kanë ndodhë para 25 vite, zonja prokurore, kam harru”, tha dëshmitari Gashi.
Përpara kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ia tërhoqi vërejtjen Gashit lidhur me kontradiktat në mes deklaratave të tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ju lutem përpiquni që të përgjigjeni në mënyrë sa më të saktë që keni mundësi, në mënyrë që të shmangen keqkuptime të ndryshme, a e kuptoni këtë? Pesha e vlerësimit të dëshmisë tënde bëhet më vonë, por ju inkurajoj që të thoni të vërtetën sepse këtu jemi për të gjetur të vërtetën, për të gjetur faktet. Nëse nuk jeni i saktë në përgjigjet tuaja, kjo punë bëhet për ne e vështirë”, tha Veldt-Foglia.
Ajo i tha dëshmitarit se mospërputhja në mes deklaratave të tij, ngrit pikëpyetje për t’u gjetur e vërteta.
“Ju u ballafaquat me disa mospërputhje të mundshme në mes asaj që ke thënë në deklaratat e dhënë ZPS-së dhe asaj që po deklaron në gjykatë dhe ne do ta vlerësojmë këtë më vonë, por kjo ngrit disa pikëpyetje të rënda dhe serioze për faktin se ku është e vërteta. Thjesht desha t’ua kujtoj këtë”, tha Mappie Veldt-Foglia.
Pas mbarimit të kësaj pjese të pyetjeve, me kërkesë të prokurores Gaia Pergolo, seanca kaloi në sesion privat për të vazhduar me pyetje të tjera për dëshmitarin.