23:06 / E Mërkurë, 03 Qershor 2020

Gashi: Inspektorati policor ka hapur rast për truprojat e Thaçit jo për Veron Hasanin i cili mori lëndime fizike

Avokati Tomë Gashi është deklaruar pas daljes nga Stacioni i Policisë Qendra në Prishtinë bashkë me Veron Hasanin, i cili u sulmua sot nga Mbrojtja e Afërt e presidentit Thaçi.

Gashi tha se tashmë është hapur rast kundër truprojave të Thaçit, rast ky i cili është filmuar ku shihet keqtrajtimi që i është bërë Veron Hasanit, e që më pas është dërguar në stacion policor për t’u sqaruar situata.

“Është konstatuar se s’ka të bëjë me vepër penale që ka mundur të kryejë Veron Hasani, tanimë ka dhënë deklaratë tek Inspektorati Policor për më tepër se një orë duke pretenduar se ata e kanë keqtrajtuar. Ka edhe lëndime fizike që shihen, ka marrë edhe trajtim shëndetësorë në QKUK, ka edhe dokumentacion. Besoj është shumë e qartë dhe vendimet shihen me sy. Do të duhej që të udhëheqej procedurë penale ndaj truprojave dhe s’është aspak normale që ai të keqtrajtohet dhe rrihet për shkak të fjalëve që ka thënë e që janë fjalë që paraqesin vetëm mendimin e tij. S’mendoj se kemi arritur në situatë të tillë ku ndalohet fjala e lirë”, deklaroi Gashi, shkruan Indeksonline.

Avokati Gashi tha poashtu se është Inspektorati Policor që ka hapur rast për truprojat e Thaçit, dhe s’ka rast të hapur kundër Veron Hasanit.

“Pra është marrë deklaratë në cilësi të të dëmtuarit dhe dëshmitarët. Pra dokumentacioni flet që ka qenë i keqtrajtuar. Pra janë dokumente të spitalit tonë, s’ka kurrfarë fabrikimesh. Trajtimi mjekësor do të vazhdojë, pra e shihni se është i keqtrajtuar. Ka dyshim se ka plagë edhe të tjera që nuk shihen tani dhe s’është normale që të flasim për plagë tani. Pa marrë parasysh çka deklaron Veroni , dëshmuese është më së shumti incizimi i publikuar në media dhe aty Veroni s’e ka dit që do të sulmohet nga truprojat atëherë kur ka thënë dy fjalët e tij. E ato fjalë i kanë thënë shumë qytetarë dhe i kemi parë të filmuar këta truproja të cilët e lënë pa mbrojtje Thaçin e fillojnë ta ndjekin Veronin, distanca ka qenë aq e madhe ku intervenimi ishte brutal i panevojshëm. Nuk sulmohet një qytetar në vitin 2020, pse është oponent politik apo aktivist i VV-së, vetëm në një vend ku nuk durohet njëri-tjetrin për shkak të ndryshimeve partiake. Veroni askujt s’i ka pengu, thjeshtë ka thënë mendimin e tij”, tha ai./Indeksonline/

Mos i humb