Gashi: LDK do jetë pjesë e ekipit negociator vetëm kur të jetë pjesë e Qeverisë
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se rezoluta e miratuar në Kuvend për ekipin negociator është një alternativë për t’ia zgjatur jetën qeverisjes së tanishme, por jo edhe një ekip që do të sjellë një marrëveshje.
Në një intervistë në Info Magazinë të Klan Kosovës, Gashi ka thënë se LDK nuk do të jetë pjesë e këtij ekipi negociator duke thënë se ajo nuk është në Qeveri, por është opozitë në Kuvend.
Kësisoj, sipas tij, LDK do i printe apo do të ishte pjesë e këtij ekipi negociues po të ishte pjesë e Qeverisë, pasi Qeveria ka obligim kushtetues të udhëheqë me dialogun.
Ai më tutje ka thënë se vetëm krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse do të ishte zgjidhje pasi që aty do ishin përfshirë gjithë partitë politike dhe do të ishin të gjitha përfaqësuese në dialog, transmeton Indeksonline.
“Nuk është ikje nga përgjegjësia, LDK merr dhe do të marr përgjegjësitë e saj.
Mendoj se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të jetë e hapur për çdo opsion, e hapur si shtyllë kryesore e LDK-së është zgjidhja e problemeve me dialog, është që të krijohet një situatë ku do të ketë përfaqësim të dinjitetshëm. Kemi një qeverisje që ka zhvendosje të qendrës së vendimmarrjes.
Kryeministri i Kosovës deklarohet se nuk dëshiron të marr përsipër këtë punë, duke krijuar një ekip të çuditshme mes presidentit qeverisë dhe një pjese të opozitës.
LDK është më mirë t’i prijë vet procesit dhe vet qeverisë për të arritur marrëveshjen e detyrueshme finale me Serbinë.
Ata duhet të marrin përsipër këtë çështje. Ne nuk kemi shumë mundësi manovrimi. Nuk ka fuqi vendimmarrjes delegacioni, Qeveria nuk duhet ta delegojë tek një trup tjetër.
LDK i prin këtij procesi nëse është në Qeveri, pasi nuk ka zgjedhje të reja atëherë le t’i prijnë ata që janë.
LDK nuk ka përgjegjësi kushtetuese i ka Qeveria për pjesën e vet, pra ajo nuk duhet t’ia bart atë një institucioni tjetër. Kushtetua përcakton cila është detyra e Qeverisë, cila e Kuvendit dhe cila e Presidentit.
Populli ka votuar që LDK të jetë opozitë në Kuvend dhe jo në Qeveri.
PSD nuk mund të jetë në të njëjtin nivel me LDK-në dhe VV sepse është më e vogël.
Marrëveshjen e arritur me Serbinë duhet të votojnë 80 deputetë për që marrëveshja të aprovohet dhe ata nuk i kanë këto vota. Pra, kjo është vetëm një alternativë për t’ia zgjatur jetën qeverisjes por jo për të arritur një marrëveshje çfarë kërkohet.
Ne pajtohemi që kjo Qeveri nuk mund të përfaqësojë një ekip të tillë, prandaj po kërkon një ekip tjetër. Përderisa po kërkojnë gjithëpërfshirës do të thotë se nuk mund ta kryejnë vet këtë punë. Dhe ne këtë lloj interpretimi ata themi se ne po e mbajmë pushtetin e tjetër kush të udhëheqë dialogun.
Krijimi një qeverie gjithëpërfshirëse do të kryente punë.
Letra e Presidentit Trump thotë se duhet të krijohet një ekip unik dhe në këtë mënyrë, në këtë situatë që jemi nuk mund të bëhet një gjë e tillë. Ai është në interesin e Kosovës, do të ishte zgjidhja më e mirë një Qeveri gjithëpërfshirëse dhe kështu do të ishim në tavolinën e dialogut të gjithë./Indeksonline/