75 Mall Live Search
16:43 / E Premte, 06 Tetor 2023 / MSH

Gashi: LDK i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare, kjo qeverisje nuk i duhet Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar pas kritikave të mazhorances se opozita në Kuvend nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare.

Sipas Gashit, Lidhja i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare, përveç asaj me OPEC-un, dhe se është vet LVV ajo që kur ka qenë në opozitë nuk i votonte këto marrëveshje.

Përmes një reagimi në Facebook, Gashi ka thënë se sjellja e Qeverisë është “një ogur i keq për demokracinë” dhe se “kjo nuk është qeverisja që i duhet Kosovës”.

Ky është reagimi i plotë i tij:

E vërteta.

E vërteta është se LDK i voton dhe i ka votuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.

E vërteta është se edhe dje LDK i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

E vërteta është se LDK vetëm marrëveshjen me OPEC-un nuk e voton, ngase një pjesë e madhe e anëtarëve të kësaj organizate janë shtete diktatoriale, të cilat duan të na imponojnë një sistem fiskal që është i kundërt me atë të vendeve demokratike – partnere të Kosovës; është sistem i kundërt me atë të FMN-së dhe Bankës Botërore. 

E vërteta është se partia në pushtet është e dëshmuar se kur është në opozitë nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare.

E vërteta është se edhe përkundër kësaj asnjëherë nuk i është mohuar e drejta e pyetjeve parlamentare. 

E vërteta është se në Kuvend, ne edhe sot jemi parti opozitare të ndryshme.

E vërteta është se ne sot e kemi lëshuar seancën pasi që Qeveria ka refuzuar që t’u përgjigjet pyetjeve parlamentare.

E vërteta është se sjellja e sotme e Qeverisë është një ogur i keq për demokracinë.

E vërteta është se Qeveria në mënyrë arrogante nuk dëshiron me iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të Parlamentit të Kosovës.

E vërteta është se Qeveria nuk iu përgjigj pyetjeve parlamentare; kjo e vërtetë është momentum i ri, i papranueshëm, kundërkushtetues dhe cenim i demokracisë.

E vërteta është se edhe në rrethana të vështira, si pasoj e veprimeve joligjore dhe antikushtetuese të partisë që sot është në pushtet, Kuvendi e ka kryer punën e vet në mënyrën demokratike. 

E vërteta është se shumica nuk po i ka numrat me qeverisë. E vërteta është se opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar.

E vërteta është se nuk është problemi te opozita, është te pozita, sepse pushteti e ka përgjegjësinë e udhëheqjes.

E vërteta është se ky pushtet në ndërdijen e vet e ka zhdukjen e mendimit ndryshe, kundërshtarit politik, dhe kjo është e dëmshme për demokracinë dhe Kosovën.

E vërteta është se Kurti sot i ka bërë katër vjet si kryeministër dhe rezultati i punës së tij është zero; asnjë rezultat, asnjë sukses, mungesë zhvillimi ekonomik, tentim të kapjes së institucioneve, sanksione ndërkombëtare, korrupsion, krim i organizuar etj.

E vërteta është se kjo nuk është qeverisja që i duhet Kosovës.