14:23 / E Enjte, 19 Shtator 2019 / indeksADMonline

Gashi ndalon veturat zyrtare gjatë fushatës zgjedhore për stafin politik

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në bazë të kompetencave të tij, të mbështetura në ligj, ka marrë vendimin për ndalimin e përdorimit të automjeteve zyrtare në gjatë 24- orëve për stafin politik.

Në vendim thuhet se obligohen zëvendësministrat, këshilltarët dhe stafi tjetër i kabinetit që automjetet zyrtare të cilat i kanë pasur në shfrytëzim 24 orë t’i dorëzojnë dhe t’i kthejnë në parkingun e MKRS-së, duke shfuqizuar çdo vendim të mëhershëm. Gashi ka thënë se përmes këtij vendimi synohet të parandalohet keqpërdorimi i automjeteve në fushatën zgjedhore, të ruhet imazhi i institucionit dhe të ketë zbatueshmëri të plotë të legjislacionit, njekohesisht deshiron të krijojë një praktikë të re institucionale për të të gjithë pasardhësit e tij politikë.

“Tashmë kur fillon fushata dhe rritet qarkullimi dhe kontaktimi e komunikimi me sa më shumë qytetarë, me qëllim të parandalimit të keqpërdorimit të veturave zyrtare në kohë fushate zgjedhjesh, kam marrë këtë vendim i cili përpos që do të reduktojë shpenzimet e ministrisë, do të ruajë imazhin jo vetëm të institucionit, por edhe të personave që janë përgjegjës për veturat zyrtare”, tha ndë të tjera Gashi.

Një veprim i këtillë, është cilësuar nga Gashi si hapi i parë që ka ndërmarrë ndonjë ministër në të mirë të institucioneve dhe të ndalimit të keqpërdorimeve eventuale.