11:34 / E Diele, 27 Nëntor 2022 / LB

Gashi në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve: Historia, gjuha, kultura e çdo shqiptari është një

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi mbajti fjalimin e tij në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, ai tha se askush dhe asgje nuk mund të na ndajë.

“Të nderuar deputetë, me këtë flamur, për këtë flamur, rreth këtij flamuri, bashkë kemi qëndruar e kemi triumfuar gjithmonë, sepse ishim në të drejtën dhe në tokën tonë. Të parët tanë ishin të parët e kësaj toke dhe këtij qielli. Historia, gjuha, kultura e çdo shqiptari është një. Ndaj gjithçka na bashkon dhe asgjë dhe askush nuk mund të na ndajë. Ne kemi të njëjtat figura kombëtare”, tha Gashi.

Tutje Gashi është shprehur se Republika e Kosovës është një storie suksesi kombëtare e ndërkombëtare.

Gashi tha se me përkrahjen e miqve kemi arritur të ndërtojmë një demokraci, siç u shpreh ai, të qëndrueshme.

“Republika e Kosovës është një storie suksesi kombëtare e ndërkombëtare, edhe pse jemi një shtet i ri, me përkrahjen e miqve tanë, ne kemi arritur të ndërtojmë një demokraci të qëndrueshme, me institucione funksionale, konkurrente për rajonin”, u shpreh ai.