07:54 / E Enjte, 19 Tetor 2017 / indeksADMonline

Gashi priti ambasadorin e OSBE-së: Reforma zgjedhore të shtyhet përpara

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi, ka pritur në takim ambasadorin e OSBE-së, Ian Braathu, me të cilin biseduan për reformën zgjedhore dhe pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet e Republikës së Kosovës.

“Urime për detyrat e reja dhe shpresoj që në këtë mandat të shtyhet përpara reforma zgjedhore dhe pjesëmarrja e diasporës të jetë më e lartë se deri më tani” – ka porositur, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ian Braathu.

Nga ana tjetër, Gashi e ka informuar ambasadorin për proceset e qeverisë dhe Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

“Po besojmë që zgjedhjet e ardhshme do të mbahen pas reformave zgjedhore që duhet të bëhen. Me reformat zgjedhore do të rregullojmë dhe formën e votimit të diasporës e cila merr pjesë në numër më të vogël se 10 për qind në procesin zgjedhor” – ka thënë Gashi.

Gjatë takimit u fol dhe për rolin e diasporës kosovare në tërheqjen e investimeve strategjike në Republikën e Kosovës.