75 Mall Live Search
12:51 / E Martë, 01 Korrik 2025 / Z S

Gashi: Procedura për zgjedhjen e kryetarit është e qartë se duhet të bëhet në votim të hapur

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se procedura për votimin e kryetarit të kuvendit përcaktohet qartë nga rregullorja e punës së kuvendit dhe tha se këtë qartësi e kanë konfirmuar edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

”Procesi i konstituimit të kuvendit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, është element thelbësor për garantimin e funksionimit të institucioneve dhe për zhbllokimin e ngërçit politik. Procedura e votimit për kryetarin përcaktohet qartë nga rregullorja e punës së kuvendit dhe është interpretuar në mënyrë të njëjtë dhe të qëndrueshme në praktikat e mëparshme të kuvendit”, ka shkruar Gashi.

Sipas tij, çdo tentativë për të ndryshuar këtë praktikë dhe këtë procedurë — duke kaluar nga votimi i hapur në të fshehtë — mund të bëhet vetëm mbi bazën e një konsensusi të gjerë dhe gjithëpërfshirës.

”Çdo tentativë për të ndryshuar këtë praktikë dhe këtë procedurë — duke kaluar nga votimi i hapur në të fshehtë — mund të bëhet vetëm mbi bazën e një konsensusi të gjerë dhe gjithëpërfshirës ndërmjet grupeve parlamentare, në përputhje me frymën konsensuale të seancës konstituive. Në asnjë mënyrë nuk mund të ndërmerret me vendim unilateral të kryesuesit të seancës, i cili ka një rol teknik dhe të përkohshëm për të zbatuar rregulloren dhe vendimet paraprake të Kuvendit, jo për t’i ndryshuar ato sipas bindjeve apo vullnetit personal”, ka shtuar ai.

Seanca e radhës mbahet të mërkurën në orën 11:00./Indeksonline/