75 Mall Live Search
12:24 / E Hënë, 02 Mars 2020 / indeksADMonline

Gashi: Të hiqet taksa, ndërkombëtarët kanë rritur presionin

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka deklaruar se Kosova me synim për përmbylljes së dialogut me Serbinë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse duhet të bashkëveprojë me aleatët ndërkombëtarë, sidomos me SHBA-atë.

Për këtë arsye, Gashi kërkoi largimin e taksës, derisa nëse dialogu nuk rezulton efektiv të vendosen masat e reciprocitetit.

“Me synim të përmbylljes së dialogut me Serbinë, LDK synon të bashkëveprojë me aleatët tanë sidomos SHBA. Me tarifën e hequr në rast se dialogu nuk rezulton me rezultatet e pritura e Serbia nuk ndalon fushatën e saj masat e reciprocitetit do të vendosen sipas planit”, tha Gashi.

Deputeti i LDK-së deklaroi se është rritur dukshëm presioni ndërkombëtar për të arritur marrëveshjen finale me Serbinë.

“Presioni ndërkombëtar nga aleatët tanë për të përmbyllur bisedimet me arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë është rritur dukshëm”, tha ai.

Gashi kërkoi edhe platformë gjithëpërfshirëse dhe unitet kombëtar për përmbylljen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Qeveria duhet të përgatisë një platformë, një kornizë që duhet përfshijë të gjithë, pozitë-opozitë, shoqëri civile dhe akademikë”, vijoi Gashi.

Deputeti Gashi tha se ekzekutivi nuk duhet të frikësohet nga dialogu për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, derisa edhe tha se partnerët e koalicionit me këtë kauzë kanë garuar në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar.