75 Mall Live Search
14:37 / E Premte, 07 Shtator 2018 / indeksADMonline

Gashi: Viti 2019, i veçantë për kullat në Kosovë

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi thotë se do bëjnë restaurimin e kullave në Kosovë, veçanërisht ato në rrafshin e Dukagjinit.

Kështu deklaroi ai pas vizitës që bëri në kullën e Fazli Buqollit, në Pejë.

Pasi u njoftua me ecurinë e punimeve nga arkitekti Avni Gorani, ministri Gashi tha se kulla u restaurua me kërkesë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë.

Vitin 2019 e quajti vit të veçantë për kullat.

“Ne si ministri kemi ndarë mjete të mjaftueshme me kërkesë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë, me qëllim që edhe këtë kullë por edhe kullat tjera në rrafshin e Dukagjiit t’i restaurojmë. Dhe që të gjitha këto kulla që kanë një domethënie jashtëzakonisht të madhe e historike në periudha të ndryshme, ne si ministri jemi jashtëzakonisht të përkushtuar që kërkesa të tilla që vijnë nga qendrat tona rajonale në institucionet tona vartëse t’i mbështesim.Dhe jam sot këtu për të parë edhe punimet që po zhvillohen në këtë kullë, por në të njejtën kohë për ta konfirmuar edhe njëherë gadishmërinë tonë si Ministri e Kulturës që të ndajmë mjete të mjaftueshme për projekte tjera të kësaj natyre”, tha ai.

Drejtoresha e Qendrës Rajonale për Trashëgimi, Shpresa Gjonbalaj beson se restaurimi do të përfundojë shpejtë, pasi ecuria e punës po ecë drejt planit të paraparë.

“Njihet për veprimtari patriotike, posaqërisht në vitet e ’90-ta ky monument ka qenë në shërbim të lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në krye me Anton Çetën, ku në odën e asaj kulle janë pajtuar shumë gjaqe. Ndërkohë, kulla ka qenë e destinuar edhe si shkollë shqipe në kohën e sistemit paralel në Kosovë, e më vonë ka kontribuar edhe me punimin e riparimin e armëve në kohën e Rezistencës Shqiptare, për nevojat e UÇK-së. Prandaj jo rastësisht nga se si institucione kompetente në Trashëgiminë Kulturore, do të thotë për regjionin e Dukagjinit, është përzgjedh për restaurim”, tha ajo.

Ndërsa djali i Fazli Buqollit, Sherif Buqolli, tha se në këtë kullë është bërë pajtimi i parë i hasmërisë në Kosovë.

“Falenderoj gjithë ata që janë përkushtuar për restaurimin e kësaj kulle sepse e thanë edhe këta se ka vlera të saj historike. Për pajtim të gjaqeve siq e foli edhe drejtoresha, pajtimi i parë është bërë në këtë kullë, pastaj kanë vazhduar”, tha ai.

Me restaurimin e saj, kullës do t’i ruhet arkitektura, kati i parë do të jet muze, kati i dytë dhomë e fjetjes dhe kati i tretë oda e burrave.

Kulla e familjes së Buqollajve ndodhet në fshatin Raushiq të Pejës.