75 Mall Live Search
10:42 / E Martë, 15 Dhjetor 2020 / Blerim

Gastronomët me thirrje për zgjatje të orarit

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, u ka bërë thirrje institucioneve të vendit për zgjatje të orarit të punës.

Në këtë thirrje, gastronomët thonë se sipas rezultateve të hulumtimit të SHGK-së, po të lejohej që bizneset të vepronin në rrethana normale (pa kufizime kohore), 45% e bizneseve kanë raportuar që do t’u duhet më shumë se një (1) vit për t’u rikuperuar. Ndërsa, 43% prej tyre janë shprehur se do t’u duhet 3-12 muaj që të kthehen në gjendje normale të funksionimit.

Ky është postimi i plotë i kësaj shoqate:

THIRRJE PËR ZGJATJEN E ORARIT TË FUNKSIONIMIT TË BIZNESEVE

Që nga marsi e deri tani, shëndeti publik dhe ekonomia e vendit tonë është goditur nga pandemia dhe masat e vendosura nga institucionet publike.

I kemi pasur disa tentativa modeste për të ndikuar në ekonomi nga shteti, por fatkeqësisht të pasukseshme. Sa më shumë kohë që nuk jemi përkrahur ekonomikisht, dëmet janë përshkallëzuar edhe më shumë.

Duke marrë parasysh situatën dhe mosefektivitetin e masave, ne njëzërit edhe me odat dhe shoqatat tjera sektoriale, i bëjmë thirrje Qeverisë që të drejtojë fokusin drejt çështjeve ekonomike dhe të ngre nivelin e dialogut publik-privat. Rrjedhimisht, ne konsiderojmë të domosdoshme zgjatjen e orarit të funksionimit të bizneseve dhe unifikimit të tij për të gjitha komunat në mënyrë që të mundësohet operimi normal i bizneseve gjithmonë, duke marrë parasysh rekomandimet e OBSH-së.

Sipas rezultateve të hulumtimit të SHGK-së, po të lejohen që bizneset të veprojnë në rrethana normale (pa kufizime kohore), 45% e bizneseve kanë raportuar që do t’u duhet më shumë se një (1) vit për t’u rikuperuar. Ndërsa, 43% prej tyre janë shprehur se do t’u duhet 3-12 muaj që të kthehen në gjendje normale të funksionimit.

Për këto arsye, zgjatja e orarit pashmangshmërisht duhet të ndodhë!

Sinqerisht,

SHGK