Gati 1 vit nga skandali korruptiv i vëllaut të Xhafer Tahirit, drejtësia kosovare po hesht

Indeksonline kishte raportuar ekskluzivisht në tetor të vitit të kaluar për një skandal të madh korruptiv në Vushtrri.
Vëllau i kryetarit të komunës, Xhafer Tahirit, Salih Tahiri ishte i përfshirë në një aferë korruptive. Vëllau i kryetarit shihej qartë në një video duke negociuar për dhënien e lejeve ndërtimore në Vushtrri dhe duke marr para kesh në duar si ryshfet.
Në dy takime të ndara, sipas kësaj videoje, Salih Tahiri flet për shuma të mëdha parash dhe “kapje të parave” për dhënie të lejeve ndërtimore.
“Biri senet (paret) thuj, nisja punës, … mos të han”, dëgjohet duke thënë ai.
Së bashku me bashkëbiseduesin e tij, që duket se është ndërtues, dëgjohen duke folur edhe rreth një ndërtuesi tjetër për sigurimin e një leje ndërtimore, në këmbim të së cilës i kanë kërkuar veturë dhe banesa.
“Ti e ki shpërblimin tend. Unë sa banesa ja dhanë Salihit a sa Xhafes nuk o problem i jemi. Mu m’intereson qikjo, du kerrin edhe paq”, dëgjohet duke thënë ai.
Madje, ata flasin edhe për dërgimin e inspektorëve ndërtimorë, të cilët i përdorin si mjet shantazhi për ndërtuesit.
“Nuk i kanë shku, veç atë ditë që e ke çu atë, e ke çu ti”, i thotë ai vëllait të Xhafer Tahirit.
“I kapim senet, tani folim. Edhe kap ti, që mundesh me kapë, kap edhe ti…”, vazhdon ai, duke folur me pasë edhe për një tender.
Por, pavarësisht këtyre provave të qartë dhe faktike, Prokuroria ende s’ka marrë asnjë veprim konkret ndaj këtij rasti.
Gjykata e Mitrovicës kishte aprovuar kërkesën e prokurorisë duke caktuar një muaj paraburgim për të dyshuarit Salih Tahiri dhe Shkelzen Kajtazi.
Por, kjo ishte e tëra që drejtësia kishte marrë veprime ndaj këtij skandali ngase rasti më pas ka shkuar në procedurë të rregullt dhe të dyshuarit s’kanë marrë versionin e fundit të gjykatës.
Indeksonline ka kontaktuar Prokurorinë e Mitrovicës lidhur me këtë rast dhe të njëjtit janë arsyetuar se janë në pushim.
“Jam pushim mjekesor, ndegjohemi kur te kthehemi kysmet” ka thënë Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Pra, kur po bëhen gati 1 vit nga ky rast, drejtësia kosovare ende po heshtet përballë një rast ku duket se ka prova të qarta e faktike.
Mbase, ndikimi politik mund të jetë njëri nga faktorët!/Indeksonline/