Gati 2.5 milionë ukrainas strehohen në Poloni

Vendimi i Rusisë për invazion në Ukrainë ka bërë që miliona banorë të braktisin vendin.
Një nga vendet më mikpritëse për ukrainasit ka qenë shteti fqinj, Polonia.
Sipas Rojës Kufitare Polake rreth 2 milionë e 481 mijë ukrainas janë strehuar në vende të ndryshme në Poloni.
Megjithatë, numrat që kalojnë kufirin kanë rënë ndjeshëm në javët e fundit.
Të dielën kaluan 22,300 refugjatë, 6% më pak nga e shtuna, dhe shumë më pak se rekordi prej 142,300 personave.
Në anën tjetër, një numër i madh i ukrainasve kanë hyrë në territorin e Ukrainës, duke vendosur të kthehen dhe të mbrojnë shtetin e tyre.
Sipas të dhënave, diku rreth 457,000 njerëz kanë hyrë nga Polonia në Ukrainë.
Polonia ka shërbyer si shtet tranzit apo destinacion për miliona ukrainas.
Shumica e atyre që braktisin vendin vendosin të qendrojnë në Poloni, teksa ka edhe të tillë që shpërndahen në Evropë, duke shkuar në vende më të sigurta.