16:16 / E Enjte, 20 Korrik 2023 / A. M.

Gati ligji për bastet sportive, do të luhen në celularë, shteti jep 10 liçenca në Shqipëri

Në Shqipëri, së shpejti do të luhen baste sportive, dhe ky veprim nuk do të jetë i dënueshëm. Kjo pasi, projektligji i lojërave të fatit ka kaluar në formën e tij të plotë në kuvend në datën 19 korrik.

Hapja e basteve sportive, tashmë është çështje ditësh. Projektiligji ka kaluar për tu votuar në parlament me rregulla të reja të reja loje.

Skedinat do të luhen vetëm në telefona e kompjuter, pra nuk do të ketë sallone të posaçme si ato të para disa viteve.

Kompanitë që do të marrin licencë duhet të kenë kapital mbi 20 milion lekë dhe përvojë mbi  3-vjecare në lojëra fati, ndërsa në numër, ato nuk mund të jenë më shumë se 10.

Ligji thotë se 15 për qind e parave që do të arkëtohen në baste, do të shkojnë për mbështetjen e sportit, artit, kulturës dhe teknologjisë së inovacionit.

Ai synon edhe mbrojtjen e lojtarëve, duke krijuar një fond garancie për fitimtarët, ku organizatori duhet të ngurtësojë 120 milionë lekë, por jo më pak se 5% e shumave të luajtura nga lojtarët brenda një viti, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.

Ndërkohë, në mënyrë që të shlyhen detyrimet ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit organizatori baste sportive online është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 50 milionë lekësh, në një llogari të veçantë bankare.

Ndryshe nga sallonet fizike, që arritën në 4700 në të gjithë vendin në vitin 2018, formati online nuk kufizon numrin e llogarive që hapen.