75 Mall Live Search
23:01 / E Hënë, 22 Shtator 2025 / BA

Gati një muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor nxënësit ende pa libra, flet Jasharaj

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka folur për IndeksOnline lidhur me zhvillimet e fundit në arsim, përfshirë mungesën e teksteve shkollore, kontaktet me institucionet shtetërore, si dhe hapat që sindikata pritet të ndërmarrë nëse kërkesat e saj nuk plotësohen.

Jasharaj ka thënë se gjendja me tekstet shkollore ka mbetur e njejtë dhe se që nga fillimi i vitit të ri shkollor nxënësve të nivelit të mesëm të ulët po u mungojnë librat.

”Nga ajo çfarë kemi informacione dhe duke u bazuar nga takimi i fundit i Këshillit Drejtues, ende nuk ka zgjidhje për mungesën e teksteve shkollore. Gjendja më alarmante është tek nxënësit e shkollave të mesme të ulët, përkatësisht klasat e 6,7,8,9, ngase atyre iu sigurohen tekstet nga vitet e kaluara, tekste të vjetra, të dëmtuara dhe mungojnë në numër pasi gjenerata dallon prej gjeneratës. Pra në tërsi situata me tekstet shkollore është e keqe në të gjitha shkollat e Kosovës, dhe është për tu kritikuar ministrja Nagavci që për të tretën herë radhazi po gabon me shpërndarjen e teksteve.” ka thënë ai.

Rreth mungesës së teksteve shkollore, Jasharaj ka thënë se nuk kanë pasur kontakt me Ministrinë e Arsimit e as me ndonjë përfaqsues nga Qeveria pasi ata nuk pranojnë të takohen.

”Rreth kësaj çështjeje nuk kemi pasur asnjë kontaktë me Minstrinë e Arsimit e as me ndonjë përfaqësues nga Qeveria, pasi ata ka kohë që nuk pranojnë të takohen me ne. Pra Qeveria Kurti e duke përmendur edhe ministren Nagavci është dëshmuar që i ik dialogun dhe nuk e dëshiron. Ata kanë prirje të vendosin me vete si këto tri vitet e fundit me librat, duke mos i përfill kërkesat e këshillat tona e as vrejtjet e këshillat e prindërve.

Ndërsa sa i takon teksteve shkollore ne nuk kemi të drejtë të marrim veprime sindikale kjo iu takon prindërve, në vetëm e kemi alarmuar situatën.” ka deklaruar Jasharaj për IndeksOnline.

Gjatë këtij prononcimi ai ka folur edhe për kushtet e SBASHK-ut, ku ka thënë se pas formimit të Qeverisë do të kërkojnë kontratat kolektive, rritjen e pagave si dhe kushte të reja të punës.

”Kërkesat që lidhen me të drejtat tona dhe me autorizimet tona si sindikatë janë kontratat kolektive, të cilën Nagavci fillimisht donte ta hedhte poshtë e pastaj nuk pranonte të nënshkruhej kontrata e re, ndërsa sipas ligjit të punës kjo kontratë duhet të përseritet çdo tri vite dhe ne me kohë i kemi ofruar tekstin e kontratës së re, por ajo nuk ka pranuar të takohet me ne mbase duke mbajtur inatin që nga viti 2022 kur ishte ajo greva 5 javore. Pra kërkesa e parë që do ta bëjmë kur të themelohen institucionet është kontrata, do të kërkojmë edhe ngritjen e pagave pasi dikur ishim shumë më mirë dhe qëndronim lartë karshi vendeve të tjera por tani jemi më keq krahasuar me ta, marr shembull Shqipërinë ku atje paga e mësimdhënësit është diku mesatarja 950 kurse tek ne nuk e kalon as 700 euro. Pra do të kërkojmë rritje të pagave dhe rritje të kushteve të reja të punës. Që të kemi llaptop, projektor, tabela të mençura ngase gjitha këto përpjekje të mësimdhënësve me këto kushte që kemi nuk po japin rezultatet e pritura, pasi ka kaluar koha e shkumësit dhe shpuzes tash është koha e teknologjisë dhe ne do të insistojmë për këto.” deklaroi ai.

Jasharaj nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë për protesta e greva nëse kushtet e tyre nuk plotësohen.

”Greva e protesta mund të ketë edhe të ardhmen nëse Qeveria e re që do të formohet nuk i plotëson kushtet tona, dhe vazhdon të veproj njejtë si Qeveria Kurti e cila nuk e respektoi asnjëherë dialogun, madje ishte armiqësore me sindikatat e sidomos me SBASHK-un.” tha ai. /IndeksOnline/