Gati për pushtimin e Gazës, Izraeli thërret 60 mijë rezervistë, Netanjahu përplaset me Francën

Izraeli po vijon me përgatitjet e fundit përpara nisjes së ofensivës më të re për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës.
Sipas të dhënave zyrtare, autoritetet kanë thirrur afërsisht 60,000 rezervistë, në varësi të miratimit nga ministri i Mbrojtjes, Israel Katz. Ushtarët do të marrin urdhrat nga IDF-ja të paktën dy javë para se të paraqiten në detyrë.
Megjithatë, jo të gjithë janë thirrur për të marrë pjesë në operacionin për të pushtuar qytetin e Gazës pasi disa do të zëvendësojnë trupat e përhershme të ushtrisë në fronte të tjera.
Ndërkohë një përplasje e ashpër ka nisur mes kryeministrit Netanjahu dhe presidentit francez Macron, teksa ky i fundit paralajmëroi njohjen e shtetit të Palestinës.
“Thirrja juaj për një shtet palestinez i shton benzinë zjarrit antisemit. Nuk është diplomaci, është qetësim. Shpërblen terrorin e Hamasit, përforcon refuzimin e Hamasit për të liruar pengjet, inkurajon ata që kërcënojnë hebrenjtë francezë dhe ushqen urrejtjen ndaj hebrenjve që tani pllakos rrugët tuaja”, shkroi Netanjahu në letër.
Reagimi i pallatit presidencial francez ishte i menjëhershëm.
“Është e padenjë të lidhësh antisemitizmin me njohjen e Palestinës. Analiza se vendimi i Francës për të njohur shtetin e Palestinës në shtator shpjegon rritjen e dhunës antisemite në Francë është e gabuar, e pavlerë dhe nuk do të mbetet pa përgjigje”, shkruhet në reagimin e Elize.