75 Mall Live Search
19:29 / E Mërkurë, 02 Mars 2022 / AR

Gazeta britanike shkruan për Celinën që banesën e tij e ofroi për ukrainasit

Ylli kosovar i futbollit, i cili luan për skuadrën angleze Ipswich Town, Bersant Celina, ka bërë të ditur se do t’i dal në ndihmë një familje ukrainase duke iu ofruar strehim në banesën e tij në Norvegji.

Në një intervistë për Dailymail, Celina tha se ishte ideja e babait të tij, që shtëpinë e tyre në Norvegji ta lëshojnë për strehimin e ndonjë familjeje nga Ukraina, pas luftës me Rusinë.

“Ishte ideja e babait tim. Ai mendoi se do të ishte mirë nëse do ta përdornim për të ndihmuar një familje që duhej të largohej nga Ukraina”, shpjegon Celina, i cili ishte tre vjeç kur i shpëtoi luftës në vendlindjen e tij në Kosovë për të ndërtuar një jetë të re në Norvegji”, shkruan Dailymail, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, ai tha se të njëjtën gjë e ka kaluar edhe familja e tij deri sa kanë jetuar në Kosovë, teksa rrëfen detaje nga lufta në Kosovë.

“Apartamenti im do të jet falas për dikë për aq kohë sa i nevojitet. Është një nga gjërat me të cilat dua të kontribuoj”, ka thënë tutje ylli kosovar.

Celina, tani 23 vjeç, u rrit në Kosovë gjatë një kohe kur vendi ishte i pushtuar nga Serbia.

“Nuk më kujtohet se çfarë ndodhi, por mamaja dhe babai im më kanë treguar histori”, thotë Celina, karriera e të cilës filloi në Manchester City dhe aktualisht është në Portman Road si huazim nga klubi francez Dijon.

“Ne arritëm të dilnim pak para se të shpërthente lufta në Kosovë. Unë, mamaja dhe vëllai im u transferuam në Norvegji. Babai im ishte ende në Kosovë dhe duhej të ikte nga vendi në një mënyrë tjetër”.

“Po, ishte një kohë e vështirë. Sigurisht që kishte shumë njerëz që ishin në rrezik dhe shumë që vdiqën. Ishte e frikshme”.

“Shumë futbollistë kroatë, boshnjakë dhe kosovarë e dinë se çfarë po ndodh tani. Do ta kenë të vështirë të shohin se çfarë po ndodh”, ka thënë më tej Celina.

Tutje, bëhet e ditur se familja Celina do të flasë me autoritetet norvegjeze për të lehtësuar transferimin e një familje ukrainase në apartament, i cili ndodhet në Drammen, një qytet rreth 25 kilometra larg Olso-s ku Celina u rrit.

“Shpresojmë se ne mund të ndihmojmë një familje të vogël të ndërtojë një të ardhme siç ishim në gjendje ta bënim ne. Lëvizëm shumë dhe qëndruam në bujtina. Mund ta imagjinoj se nuk ishte e lehtë për prindërit e mi”.

“Jam i shokuar që në vitin 2022 po kalojmë një luftë në Evropë, apo kudo në botë. Është kaq e vështirë, ka shumë njerëz që vuajnë dhe nuk është bukur ta shohësh”, ka thënë Celina.