11:03 / E Martë, 21 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Gazeta britanike “The Sun”, tregon arsyen e dezertimit të komandove shqiptare: Ja sa paguheshin ata

Gazeta britanike “The Sun” shkruan se katër komando shqiptare kanë dezertuar dhe janë në arrati në Britani.
Sipas saj, komandot u zhdukën pas një misioni stërvitor në Britani, përcjell Indeksonline.
Detajet e zhdukjes së tyre janë mbajtur sekret, shkruan gazeta, ndërkohë që policia dhe Ministria e Mbrojtjes kanë nisur ‘gjuetinë’ për kapjen e tyre.
Reni Ajazi, Ylber Kotri, Aleksandër Shkulaku dhe Klevis Lamkaj mendohet se fshihen tek të afërmit e tyre të komunitetit shqiptar.
Gazeta thekson se komandot rrezikojnë deri pesë vite burg për dezertim.
Ata ishin pjesë e një grupi prej 11 shqiptarësh, që merrte pjesë në një stërvitje të NATO-s në Uells.
Një burim tha se ata duhej të fluturonin një ditë pasi u zhdukën.
Kurse një burim ushtarak në Tiranë tha: “Zyrtarët më të lartë janë tërbuar. Familjet e të zhdukurve janë marrë në pyetje dhe ka nisur hetimi në Britani dhe Shqipëri”.
Gazeta shkruan se shqiptarët e zhdukur janë veteranë të Afganistanit dhe fitonin vetëm 220 sterlina në muaj në Shqipëri.
Dritan Demiraj, ish-kreu i Forcave Speciale Shqiptare, shkroi në Facebook: “Unë e konsideroj sjelljen e tyre të papranueshme. Unë e di se ata nuk paguhen mirë dhe punojnë në rrethana të vështira por ato që bënë nuk ishin tërësisht të pajustifikuara. Ata udhëtuan në Britani për të përfaqësuar Shqipërinë në një stërvitje ushtarake dhe unë u kërkoj atyre të kthehen në vendin e tyre sa më parë të jetë e mundur”, ka shkruar Demiraj./Indeksonline/