Gazeta gjermane: Kuvendi si orë zvicerane, sa është efektive që VV të nominojë Haxhiun çdo 48 orë?

Gazeta e njohur gjermane “Süddeutsche Zeitung” në një artikull të fundit shkruan për bllokadën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, për të cilën thotë se po vazhdon me një ritual si të orëve zvicerane. Mes tjerash, ky medium shtron pyetjen se sa efektive eshtë që Lëvizja Vetëvendosje ta nominojë të njëjtën kandidate për kryeparlamentare çdo 48 orë.
Gazeta gjermane e nis artikullin duke njoftuar se të mërkurën, deputetët u mblodhën për herën e 37-të, ku sërish, dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
“Në Kosovë, në shtetin më të ri të Evropës, muajt e fundit po zhvillohet një ritual “rregullsia” e të cilit të kujton orët zvicerane.
Këtë të mërkurë, në orën 11:00, ndodhi sërish për herë të 37-të me radhë: Deputetët në kryeqytetin Prishtinë u mblodhën në sallën plenare për të mbajtur një seancë konstituive. Pas një votimi të pasuksesshëm, ata u shpërndanë. Kjo do të thotë se shteti më i ri i Evropës ende nuk ka një parlament funksional dhe as një qeveri.” – thuhet aty, transmeton Nacionale.
Mes tjerash theksohet se VV-ja ka humbur shumicën absolute dhe se tani i duhet të kërkojë partnerë koalicioni.
“Bllokada politike ka nisur me zgjedhjet e 9 shkurtit. Partia që ishte në pushtet më parë, Vetëvendosje, sërish doli partia më e fortë me 42.3 për qind të votave, por humbi shumicën absolute dhe tani duhet të kërkojë partnerë koalicioni. Kjo po del të jetë e pamundur në një skenë politike të pasluftës, e karakterizuar nga armiqësi dhe mosbesim.
Sipas kushtetutës, për të konstituar parlamentin dhe për të zgjedhur më pas një qeveri, duhet të zgjidhet fillimisht kryetari i parlamentit. Pikërisht ky proces dështoi të mërkurën për herë të 37-të me radhë; Albulena Haxhiu, e propozuar në mënyrë të përsëritur nga Vetëvendosje, sërish nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme. Seanca, sipas raportimeve, zgjati rreth dy minuta. Sipas kushtetutës, përpjekja e radhës për një seancë konstituive duhet të ndodhë pas 48 orësh, pra të premten. Kushtetuta nuk përcakton një numër maksimal përpjekjesh të pasuksesshme”.
“Cirku i Republikës së Kosovës”
Sipas mediumit, padurimi mes qytetarëve, “ose më saktë mes atyre që nuk po qeverisen realisht” po rritet, duke përmendur protestat para vendit ku shkruan:
“Cirku i Republikës së Kosovës”, “Kompromiset janë themeli i demokracisë.”
“Süddeutsche Zeitung” pyet mes tjerash se “sa efektive është që partia e Kurtit vazhdon të propozojë të njëjtën kandidate për kryetare të parlamentit çdo 48 orë?”.
Në artikull përmendet edhe armiqësia politike e Albin Kurtit me Hashim Thaçin, duke vazhduar:
“Prandaj nuk është ekzagjerim të thuhet se baza për ndonjë bashkëpunim të mundshëm të sinqertë mes Vetëvendosjes dhe organizatave pasuese të UÇK-së është jashtëzakonisht e brishtë”.
Po ashtu, media gjerman raporton edhe për raportet e përkeqësuara të Albin Kurtit me administratën aktuale amerikane, e cila udhëhiqet nga Donald Trump.
“Situatën e përkeqëson edhe fakti që era në politikën e jashtme është kthyer kundër Kurtit. Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, kishte bërë fushatë intensive kundër Kurtit gjatë zgjedhjeve, duke e quajtur “të pabesueshëm” dhe duke e akuzuar se “destabilizon” rajonin. Në anën tjetër, Hashim Thaçi — i cili aktualisht po përballet me një gjykim në Gjykatën Speciale në Hagë për krime të supozuara lufte gjatë luftës guerile kundër Serbisë — sipas Grenell-it është “babai themelues i shtetit të Kosovës” dhe po mbahet “në mënyrë të paligjshme” në paraburgim”.
Zëdhënësi i Qeverisë në largim, Përparim Kryeziu, i ka thënë kësaj gazete VV-ja “po ushtron të drejtën e saj kushtetuese.
“Nuk shihet ndonjë fund për ngërçin aktual. PDK-ja dhe një tjetër parti pasuese e UÇK-së, AAK-ja, i kanë kërkuar Kurtit që të propozojë një kandidat tjetër, më të pranueshëm për shumicën, për kryetar parlamenti — por Kurti e refuzon këtë. Një parti tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk do të mbështesë asnjë kandidat të propozuar nga partia e Kurtit.
Zëdhënësi i Kurtit, Përparim Kryeziu, i tha gazetës Süddeutsche Zeitung se partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit është duke u përpjekur “ta ushtrojë të drejtën kushtetuese, por po bllokohet nga anëtarë të opozitës që veprojnë në bazë të preferencave politike. Në demokracitë funksionale, të drejtat janë mbi preferencat”.