Gazetari egjiptian lirohet nga burgu pas gjashtë vitesh, thotë se ndihet sikur po fluturon
Fotoreporteri i vlerësuar me çmime të ndryshme, Mahmud Abu Zeid, është liruar nga burgu pasi kaloi gati gjashtë vjet pas hekurave. Ai ishte arrestuar teksa raportonte nga protestat e përgjakshme në Egjipt.
Fotografi, i njohur si Shawkan, pas lirimit do të mbikëqyret për pesë vite nga autoritetet dhe kërkohet të paraqitet në stacionin e policisë, mirëpo ai ka premtuar se do të vazhdoj të bëjë punën e tij, transmeton Indeksonline.
Vitin e kaluar, Abu Zeid mori çmimin për lirinë e shtypit të UNESCO për “guximin, rezistencën dhe përkushtimin ndaj lirisë së shprehjes”, duke i tronditur autoriteteve egjiptiane që e akuzuan për “vepra terroriste dhe kriminale”.
Duke folur në shtëpinë e tij në Giza, ai tha se në momentet e para të lirimit të tij ndihej sikur të ishte duke fluturuar.
Burgimi “ishte një përvojë që nuk mund ta harroj kurrë”, tha 31-vjeçari.
“Është e hidhur, por lejon që dikush të shikojë jetën nga një këndvështrim tjetër, një perspektivë e re që nuk mund të shihet përveçse nga ai vend”, shtoi ai.
Më tutje, ai tha se ishte i vendosur të kthehej në karrierën e tij pavarësisht nga kufizimet e vendosura.
Mahmud Abu Zeidi, do të duhet të flejë në stacionin e policisë lokale çdo natë.
Në anën tjetër, nëna e tij frikësohet se gazetaria që ai bën do ta ekspozojë atë në më shumë rrezik.
“Si një nënë unë gjithmonë e kërkoj atë të qëndrojë jashtë telashe … por ai gjithmonë thotë gazetari është në gjakun tim”, tha 61-vjeçarja, Reda Mahrous.
Abu Zeid është paraqitur në gjyq së bashku me 739 të pandehur të tjerë, shumica e të cilëve akuzoheshin për vrasjen e policisë dhe dëmtim të pronës.
Abu Zeid u akuzua për “vrasje dhe anëtarësim në një organizatë terroriste” – akuza që mund të bartin dënimin me vdekje.
Ndryshe, Egjipti është i renditur në vendin e 161 nga 180 gjithsej nga Reporterët pa Kufij, në indeksin e lirisë së shtypit.
Më shumë se 30 gazetarë janë ende në burg në Egjipt./Indeksonline