Gazetari Musliu sugjeron t’i bojkotojmë postimet e politikanëve

Gazetari dhe publicisti, Fahri Musliu u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve të Republikës që t’i bojkotojnë postimet e politikanëve.
Sipas tij, postimet e politikanëve me shumë akuza e kundërakuza reciproke, që në gazetari quhën çarçaf, të pushtetarëve tanë, e që këto ditë po na çmendin duke u lexuar nëpër televizione, dëshmojnë për paaftësinë e pushtetarëve dhe politikanëve tanë që problemet t’i zgjidhim në komunikim mes veti, e jo të na shesin mend dhe ta polarizojnë në ekstrem dhe helmojnë opinionin kosovarë edhe ashtu të ndarë në tarafe.
“Prandaj PROPOZOJ që, këto media, t’i BOJKOTOJNË “çarçafët” e tyre, edhe për shkakun se të gjithë pushtetarët dhe politikanët, kanë shërbimet e veta për kontakt me opinionin apo zëdhënësit, për çka paguhet nga paratë publike. Kjo do të ishte higjenike dhe e shëndetshme për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar ai, transmeton Indeksonline
Postimi i plotë:
Bojkotoni POSTIMET e politikanëve!
POSTIMET e politikanëve dhe pushtetarëve kosovarë në Facebook, po mi rikujtojnë KUMTESAT partiake të sistemit monist në Shqipëri dhe bllokun tjetër komunist, (më pak në Kosovë dhe Jugosllavia) kur ato pikë për pikë lexoheshin në mediat elektronike (tv, radio) dhe publikoheshin në gazeta. Këto POSTIME (kumtesa), me shumë akuza e kundërakuza reciproke, që në gazetari quhën çarçaf, të pushtetarëve tanë, e që këto ditë po na çmendin duke u lexuar nëpër televizione, dëshmojnë për paaftësinë e pushtetarëve dhe politikanëve tanë që problemet t’i zgjidhim në komunikim mes veti, e jo të na shesin mend dhe ta polarizojnë në ekstrem dhe helmojnë opinionin kosovarë edhe ashtu të ndarë në tarafe. Vlerësoj se fajtor më të mëdhenj për këtë brutalizim të opinionit janë redaksitë e medieve, të cilat po e kanë më lehtë kështu t’i mbushin rubrikat e veta.
Prandaj PROPOZOJ që, këto media, t’i BOJKOTOJNË “çarçafët” e tyre, edhe për shkakun se të gjithë pushtetarët dhe politikanët, kanë shërbimet e veta për kontakt me opinionin apo zëdhënësit, për çka paguhet nga paratë publike. Kjo do të ishte higjenike dhe e shëndetshme për qytetarët e Kosovës.
(Fa.)