Gazi komenton Vjosa Osmanin e Albin Kurtin: Në LDK ka demokraci, kryeministri gaboi me taksën

Nënkryetari i LDK-së dhe kryetar i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka komentuar zhvillimet e fundit politike rreth mocionit për shkarkimin e qeverisë Kurti.
Muhaxheri ka deklaruar se LDK mbetet si do herë unike dhe shumë demokratike në shprehje mendimesh dhe qëndrimesh të përfaqësuesve të saj. Në këtë kuadër Muhaxheri thotë se mbetet edhe qëndrimi ose reagimi i kryeparlamentares Osmani.
“Qëndrimet e LDK-së janë unike, edhe qëndrimi i Vjosës ka qenë në frymën e qëndrimit të kryesisë së LDK-së. Tani nuancat dhe dallimet dalin vetëm tek ne se jemi LDK, jemi demokrat. Në partitë tjera as që dëgjohet çfarë ka folur dikush në kryesi dhe këtu është dallimi.”-tha ai.
I pyetur për zërat në VV, se nuk ka kushte për mbajtje të seancës së mocionit në Kuvend të Kosovës për shkak të situatës me koronavirus, Muhaxheri ka thënë se ishte vet partneri që nuk e shihte këtë situatë si gjendje e jashtëzakonshme, ndërsa tani po flet ndryshe.
‘Partneri i koalicionit nuk donte të shpallte gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa tani (për seancë) po i duket që qenka gjendje e jashtëzakonshme, kur qenka në pyetje me u marrë një masë ndajë partnerit. Të shohim.”-tha Muhaxheri në ‘RADIO 1’.
Tutje, Gazmend Muhaxheri ka shtuar se veprimi i mbrëmshëm i kryeministrit Kurti ndaj taksës 100%, nuk ka qenë ai i duhuri dhe i kërkuari.
“Heqja e taksës në formë si ndodhi mbrëmë është e pamjaftueshme. Kjo po shihet edhe prej partnerit tonë strategjik që veprimet e tilla nuk janë në interest ë Republikës së Kosovës.”-tha Muhaxheri.