08:34 / E Enjte, 14 Korrik 2022 / AR

Gazprom nuk mund të garantojë funksionimin e Nord Stream

Gazprom nuk mund të garantojë funksionimin e duhur të gazsjellësit Nord Stream. Këtë e bëri të ditur kompania ruse në një deklaratë.

“Gazprom nuk ka asnjë dokument që tregon se Siemens është në gjendje të marrë turbinën me gaz për stacionin e kompresorit Portovaya jashtë Kanadasë, ku ajo është duke u riparuar. Në këto rrethana nuk është e mundur të garantohet funksionimi i sigurt i stacionit të kompresorit Portovaya, i cili është një objekt kyç për gazsjellësin Nord Stream”, thuhet në shënimin e cituar nga Tass.

Ditët e fundit, qeveria e Berlinit përshëndeti vendimin e Otavës për të zhbllokuar shpërndarjen e turbinës që duhet të instalohet nga Siemens, e konsideruar thelbësore nga Moska për të funksionuar Nord Stream.

Më 11 korrik, Gazprom nisi punën e mirëmbajtjes, e cila pritet të zgjasë 10 ditë. Por Gjermania dhe Evropa kanë frikë se reduktimi mund të zgjatet për shkak të një zgjedhjeje politike nga Kremlini. Gjigandi rus i gazit ka reduktuar më parë furnizimet e tij duke u ankuar për problemin e turbinës. Gazeta Globe and Mail shkruante se njëra prej turbinave është në rrugën e saj drejt Evropës, ndërsa pesë të tjerat do të dorëzohen brenda dy viteve.

BE-ja ka specifikuar se teknologjitë që lidhen me transportin e gazit nuk janë subjekt i sanksioneve, pavarësisht kundërshtimeve të Ukrainës.