“Gazzetta dello Sport” shkruan për mundësinë e Shqipërisë për tu kualifikuar
Italiania “Gazzetta dello Sport”, në vigjilje të nisjes së eliminatoreve për Evropianin 2020, i bën nga një skanim të shkurtër, të dhjetë grupeve që do të çojnë 24 skuadra në fazën finale.
Për grupin H, ku pjesëtare është edhe Shqipëria, prestigjiozja italiane shprehet se kjo Kombëtare e Panucit, do ta ketë të vështirë të përsërisë atë shpërthim që ekipi pati në kohën e De Biasit.
“Kampionët e Botës të Francës nuk duhet të kenë rreziqe. Edhe pse u mundën nga Holanda në Ligën e Kombeve, ata nuk duhet të frikësohen nga Islanda, që zhgënjeu në Kupën e Botës dhe u rrëzua në Ligën B në Ligën e Kombeve, dhe nuk ka fituar që nga tetori 2017. Apo nga Turqia e Çalhanoglu, që u rrëzua në Ligën C të Ligës së Kombeve, dhe ende mbështetet tek një 38-vjeçar si Emre dhe 33-vjeçar si Burak Jilmaz. Më pas, për vendin e dytë, luan edhe Shqipëria e Kristian Panucit, i cili do ta ketë të vështirë të përsërisë shpërthimin e De Biazit, por ka disa nga elementët më ekspertë në ekip, si napolitani Hysaj, Taluant Xhaka, apo Memushaj nga Peskara. Grupi mbyllet nga Moldavia dhe Andora.