75 Mall Live Search
22:17 / E Martë, 23 Prill 2019 / indeksADMonline

Gent Cakaj: Kam 28 vite, 14 prej tyre në politikë

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj në emisionin “Opinion” me Blend Fevziun në Klan TV ka thënë se angazhimet e tij në politikë i ka nisur qysh në moshën 14 vjeçare.

Ministri shqiptar thotë se në atë moshë ka publikuar shkrime politike, si dhe ka marrë pjesë në disa protesta të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në këtë emision ai ka rrëfyer edhe për periudhën e luftës në Kosovë, transmeton Indeksonline.

“Unë jam 28 vjeçar, por me përvojë politike kam 14 vite. Angazhimet në politikë i kam qysh nga shkolla mesme, dhe i takoj një gjenerate paradoksale politike, që përfshin fillimin e publikimit të shkrimeve politike. Si 14 vjeçar kam publikuar shkrime të ndryshme politike nëpër gazeta ditore në Kosovë. Ato ende janë të disponueshme dhe i ruaj.  Aktivizimin politik e kam filluar nëpër protesta si pjesë e LVV-së.  Nuk është që kam dhënë kontribut substancial në atë moshë, por ka qenë pasion i madh me u merr me politikë. Politikën nuk e kam zgjedhur unë, neve na ka zgjedhur politika. Prandaj, thash jam rritur në një periudhë tranzicioni. Kam jetuar në Kosovën e lirë por jo të pavarur. Çështja prej vitit 2004 kur kam nisur të merrem me politike ka qenë periudhë kritike e shtet ndërtimit, tranzicionit dhe angazhimit për pavarësi”, ka thënë Cakaj, transmeton Indeksonline.

Cakaj ka folur edhe për jetën e tij personale.

“Angazhimet e para i kam në shkollën e mesme. Me fillimin e shkrimeve politike e më pas deri në moshën 18 vjeçare. Kam botuar në gazetat ditore në Kosovë. Nuk ndihem komod me ato shkrime se tani kam evoluar. Në moshën 15 vjeçare jam bërë pjesë me Vetëvendosjen. Nuk kanë qenë shumë çështje politike, por nga pasioni politik. Ne nuk kemi zgjedhur politikën por ajo na ka zgjedhur ne”, thotë ministri Cakaj.

Ai ka treguar se si e ka përjetuar luftën e Kosovës dhe momentin e ndarjes nga familja.

“Familja u nda gjatë luftës dhe unë përfundova në Strugë. Babai im mbeti në Prishtinë dhe pjesa tjetër e familjes ka jetuar në Strugë. Më kujtohet në atë kohë shija e hidhur e jetës. Jeta në rutinë, paniku bëhet i zakonshëm. Lojërat ndërpreheshin kur binte telefoni”, ka thënë ndër të tjerash Cakaj./Indeksonline/