75 Mall Live Search
12:46 / E Diele, 12 Maj 2019 / indeksADMonline

Sulmohet shtëpia e Borchardt, Cakaj: Urdhër politik për frikësimin e ambasadorit

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka reaguar pas sulmit në shtëpinë e Ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt.

Përmes një postimi në Facebook, Cakaj ka thënë se sulmi ndaj tij është sulm ndaj imazhit të Shqipërisë dhe ndaj kulturës demokratike në shtetin shqiptar.

Ai ka ftuar që nga ky veprim të distancohen të gjithë ata persona që kanë përgjegjësi shoqërore.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Cakajt:

Mjaft është mjaft!

Sulmi i mbrëmshëm ndaj shtëpisë të Ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri,
Bernd Borchardt, pas deklaratës publike të OSBE kundër dhunës kriminale në protestën e djeshme, përbën një tjetër akt të papranueshëm kriminal.

Veprimi është kryer në urdhëra të qarta politike të krerëve të protestës me qëllim frikësimin e Ambasadorit Borchardt dhe familjes së tij, si hakmarrje primitive e atyre që pasi kanë humbur kontrollin e vetes duan të nxjerrin nga kontrolli rendin kushtetues të Shqipërisë!

Ambasadori Borchardt vazhdimisht ka kryer punën e tij me profesionalizëm të plotë në kuadër të Misionit të OSBE-së dhe faji i tij i vetëm është thirrja fisnike për frenim nga dhuna dhe distancim nga veprimtaria e dhunshme. Sulmi ndaj tij është sulm ndaj themeleve të kulturës demokratike, imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe përpjekje e drejtëpërdrejtë për ta cenuar besueshmërinë e Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së 2020. Kjo nuk është thjeshtë Shqipëria që duam: kjo nuk është kurrësesi as Shqipëria e tanishme.

Kjo është Shqipëria e një grupi rrugëhumburish politik dhe
huliganë kriminalë si ata që kryejnë akte dhune dhe që kanë dhunuar edhe banesën e ambasadorit.

Për më shumë, kultura e linçimit masiv, diskreditimit tendencioz
profesional dhe cenimit personal është krim në vetvete.

Ndaj, secili person me përgjegjësi minimale shoqërore duhet menjëherë të
distancohet nga sulmi kriminal ndaj Ambasadorit Borchardt dhe të
dënojë veprimtarinë e dhunshme kundër Shqipërisë në përgjithësi. /Indeksonline/