12:06 / E Martë, 04 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Gent Cakaj telefonon Konjufcën, flasin pas krijimit të Qeverisë

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një bisede telefonike ka uruar ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, për detyrën e tij të re.

Të dy ministrat shprehën gatishmërinë e ndërsjellë për të vazhduar bashkëpunimin në të mirë të dyja vendeve.

Cakaj me anë të një postimi në Facebook nuk ka lënë pa vlerësuar edhe bashkëpunimin dhe kontributin e pamohueshëm për ish-ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, për shqiptarët kudo ndodhen.

“Z. Pacolli ka bërë një punë të palodhshme për shtimin e numrit të njohjeve të Kosovës dhe ruajtjes së njohjeve ekzistuese. Për më shumë, ai ka punuar me përkushtim për rritjen e bashkëpunimit midis vendeve tona. Në këtë kontekst, midis tjerash, Pacollit i mbetem tepër mirënjohës edhe për përgjigjen pozitive të kërkesës sonë për t’i siguruar Shqipërisë qasjen në hapësirat e konsullatave të Republikës së Kosovës në Malmë, Dyseldorf, Stuttgart, Hamburg e Toronto” – u shpreh Cakaj në postimin e tij.

Kreu i diplomacisë shqiptare e mbylli urimin e tij, duke nënvizuar faktin se tashmë është koha për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë.