75 Mall Live Search
10:48 / E Premte, 30 Dhjetor 2022 / B O

Gërvalla: Asociacioni ka vdekur, por do bisedojmë për zgjidhje për pakicat

Për ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, Serbia është ajo e cila shkakton konflikte artificiale si në rastin e targave, dhe i konverton ato pastaj në një konflikt real, sikurse ndodhi me barrikadat në Veri të Kosovës.

Prandaj, shton kryediplomatja kosovare, në emisioni Mirëmëngjesi Shqipëri në Radio Televizionin Shqiptar, RTSH, Beogradi zyrtar nuk dëshiron t’i zgjidh çështjet me dialog.

“Raportet me Serbinë t’i ndërtojmë mbi baza parimore. Serbia nuk ka konsensus t’i zgjidhë me dialog, përveç njohjes së ndërsjellët që do i hapte rrugë rajonit për një bashkëpunim më të thellë mes shteteve tona”, ka deklaruar ajo.

Gërvalla duke folur për kërkesën e Serbisë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ka deklaruar se kjo kërkesë nuk mund të realizohet ashtu siç e do Beogradi zyrtar.

Megjithatë, krahas kësaj, Gërvalla ka theksuar se do të bisedohet për një zgjidhje për pakicat e komunitetit.

“Ky asociacion i cili ka pasur një marrëveshje në 2013 që u korrigjua në 2015, ka vdekur kur Gjykata Kushtetuese ka thënë se bie ndesh me 23 nene. Nuk është legjitime për qeverinë tonë që të ofrojnë koncepte që bien ndesh me Kushtetutën e vendit. Kryeministri Kurti ka paraqitur në Bruksel një plan me 6 pika, një prej të cilave ka të bëjë me pakicat kombëtare”, ka shtuar ajo.

“Do donim që në të gjithë vendete rajonit tu siguronin qytetarëve të pakicave sikurse ua mundësojmë ne në Kosovë. Asociacioni nuk mund të ndodhë në Kosovë, por do ulemi të bisedojmë për zgjidhje për pakicat e komunitetit”.