19:22 / E Premte, 24 Maj 2024 / MSH

Gërvalla dhe Torres flasin për fuqizimin e partneritetit SHBA-Kosovë

Fuqizimi i partneritetit në programe konkrete dhe një roli më aktiv i Kongresit Amerikan rreth sfidave të Republikës së Kosovës ishte tema thelbësore e bisedës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me kongresistin demokrat, Ritchie Torres, i cili shquhet si mik dhe mbështetës i madh i Kosovës.  

Ministrja Gërvalla ndau me kongresistin Torres edhe detaje rreth proceseve politike, progresit të arritur, sfidave të sigurisë në rajon, integrimeve euroatlantike si dhe bashkëpunimit në ekonomi dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë.

Duke e falënderuar për mbështetjen e madhe, ministrja Gërvalla e njoftoi kongresistin Torres edhe rreth mërgatës së Kosovës në SHBA, organizimin e mirëfilltë të tyre, rolin e madh në shtetndërtim  dhe zhvillim ekonomik, si një urë e fortë mes Republikës së Kosovës dhe ShBA-së.