75 Mall Live Search
16:59 / E Diele, 08 Mars 2026 / F.R

Gërvalla: Fuqizimi i gruas është fuqizim i vetë shoqërisë

Zëvendëskryeministrja e dytë njëherësh ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se fuqizimi i grave është thelbësor për zhvillimin e shoqërisë, gjatë një aktiviteti të mbajtur në Zyrih të Zvicrës me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Në një postim në rrjetet sociale, Facebook, Gërvalla ka thënë se mbrëmja gala “Teutat”, e organizuar nga i zërit i grave në zemër të Zvicrës, solli histori frymëzuese të grave që ndanë përvojat dhe sukseset e tyre.

Ajo vlerësoi rrëfimin e modeles dhe filantropes Emina Cunmulaj, duke theksuar se angazhimi i saj bamirës tregon se solidariteti nuk është vetëm gjest simbolik, por përgjegjësi që prek jetët e shumë njerëzve.

Po ashtu, Gërvalla përmendi edhe shembullin e psikiatres Vera Ora, duke theksuar rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor, veçanërisht për gratë që përballen me presione të shumta shoqërore, profesionale dhe familjare.

Sipas saj, mbrëmja e organizuar nga Swissalbs Women në Zyrih nga Arbela Statovci shërbeu si platformë për të festuar arritjet e grave dhe për të promovuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Gërvalla falënderoi edhe kontributin e Kadire Tahiraj dhe punën e Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave për angazhimin në mbrojtjen e të drejtave të grave.

Dimensioni kulturor i mbrëmjes u pasurua nga performanca e Ansambli Trojet, me të rinj që, sipas Gërvallës, përfaqësojnë shpirtin e rinisë shqiptare.

Në fund të mesazhit të saj, ajo uroi të gjitha gratë me rastin e 8 Marsit, duke theksuar se kontributi dhe fuqia e tyre janë pasuria më e çmuar e një shoqërie që synon drejtësi dhe përparim.