75 Mall Live Search
22:17 / E Martë, 08 Mars 2022 / SH F

Gërvalla: Jemi në rrugë të mirë për të marrë njohjen nga Greqia

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka shpresë se do të vijnë njohje të reja për Kosovën.

Gërvalla thotë se vizita në Greqi nuk ka dalluar nga vizitat në shtetet tjera që e kanë njohur Kosovën.

“Janë respektuar të gjitha formalitetet protokollare. Jam pritur nga homologu im ashtu siç takohen përfaqësuesit e shteteve”, tha ajo në “RTV Dukagjini”.

Kryediplomatja kosovare thotë se Greqia dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Kosovën.

“Nuk jam as Burdush as Nostradamus që ta di se kur do të jetë dita dhe ora. Por di që jemi në një rrugë mjaft të mirë me Greqinë për një forcim të mirë të raporteve tona”.

Ministrja e Punëve të Jashtme thotë se ka pasur takime edhe me përfaqësues tjerë të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën dhe, sipas saj, janë në rrugë të mirë për të sjellë njohje.

Gërvalla thotë se do të ketë së shpejti një vizitë në Izrael dhe, sipas saj, do të diskutohen edhe modalitetet e hapjes së ambasadës së Izraelit në Kosovë.