Gërvalla: Juristët shqiptarë në Zvicër, aset i çmuar për Kosovën
Gjatë vizitës së saj në Zvicër, zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz vlerësoi rolin e juristëve dhe avokatëve shqiptarë që veprojnë në këtë vend, duke i cilësuar ata si një mbështetje të fuqishme për ndërtimin e një shteti të fortë ligjor.
“Profesionalizmi dhe integriteti i tyre dëshmon se talenti dhe përkushtimi për punë nuk njohin kufij. Eksperienca e tyre në sistemin juridik zviceran është një aset i pazëvendësueshëm për institucionet tona,” tha ministrja.
Ajo theksoi se rrjeti profesional i juristëve shqiptarë në diasporë krijon mundësi të jashtëzakonshme për koordinim, shkëmbim dijesh dhe projekte të përbashkëta me Odën e Avokatëve dhe institucionet e drejtësisë në Kosovë, duke e konsideruar këtë një instrument të rëndësishëm për forcimin e strukturave ligjore dhe avancimin e drejtësisë.
Ministrja gjithashtu rikujtoi se mërgata shqiptare nuk është vetëm histori suksesi individual, por një rezervuar i jashtëzakonshëm i dijes, me potencial për të ndërtuar një sistem drejtësie efikas dhe të besueshëm.
“Gatishmëria e tyre për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e drejtësisë në Kosovë është një shans i jashtëzakonshëm që duhet kanalizuar në strategjitë tona institucionale, për të konsoliduar një shtet ligjor që respekton standardet më të larta dhe një drejtësi që përgjigjet realisht ndaj të gjithë qytetarëve”, tha ajo./Indeksonline/

