75 Mall Live Search
20:42 / E Premte, 11 Korrik 2025 / MSH

Gërvalla merr pjesë në ”Forumin e Dubrovnikut”

Me ftesë të homologut të saj kroat, Gordan Grlić Radman, ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, është nisur drejt Dubrovnikut për të marrë pjesë në edicionin e radhës të Forumit të Dubrovnikut, i cili po zhvillohet më 11 dhe 12 korrik 2025.

Forumi i Dubrovnikut është një platformë e konsoliduar ndërkombëtare për diskutime të hapura mbi sfidat globale, zhvillimet evropiane dhe çështjet me interes për rajonin, duke sjellë në një vend liderë politikë, përfaqësues të lartë institucionalë dhe ekspertë të politikës së jashtme nga vende të ndryshme.

Gjatë qëndrimit në Dubrovnik, Gërvalla, krahas kolegëve të saj, do të prezantojë në panelin në kuadër të Forumit, ku do të trajtohet rruga Euro-Atlantike e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, ajo do të realizojë takime bilaterale me përfaqësues ndërkombëtarë.

Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në Forumin e Dubrovnikut konfirmon rolin konstruktiv dhe përkushtimin e vendit tonë në arkitekturën e bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe përkushtimin për dialog të hapur, bashkëpunim rajonal dhe qasje të qëndrueshme ndaj sfidave globale.