75 Mall Live Search
17:04 / E Shtunë, 09 Nëntor 2024 / Gj. Sh

Gërvalla në Lituani: Solidariteti dhe mbështetja mes demokracive, thelbësore për triumfin mbi autokracitë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka marr pjesë në Forumin e Lartë për të Ardhmen e Demokracisë, në Vilnius të Lituanisë, me ftesë të homologut lituanez, Gabrielius Landsbergis.

Ajo ka thënë se demokracia, solidariteti dhe qasja e qartë për mbështetje dhe parandalim ndaj agresorëve janë elementet që do ta forcojnë të ardhmen demokratike të Evropës.

“Besimi në demokraci, solidariteti mes demokratëve dhe një qasje e qartë për mbështetje dhe parandalim ndaj agresorëve janë elementet që do ta forcojnë të ardhmen demokratike të Evropës dhe do të pengojnë përhapjen e ekstremizmit dhe populizmit, të cilat mund të kërcënojnë të ardhmen demokratike të këtij kontinenti”, tha ajo.

Gjatë fjalimit të saj, Gërvalla përmendi gjithashtu rëndësinë e fitores së Ukrainës ndaj agresionit të Rusisë duke paralajmëruar për pasojat e çdo kompromisi të mundshëm.

“Çdo zgjidhje tjetër kompromisi është receta për luftën e ardhshme në Baltik, në Poloni ose në Ballkanin Perëndimor, ku kemi një përfaqësues të Putinit dhe Rusisë, që sulmoi vendin tim në shtatorin e kaluar me të njëjtën retorikë, me skemën e Putinit, të njëjtat fjalë, të njëjtin fjalor që Putini ka përdorur në Ukrainë”, deklaroi ministrja.