75 Mall Live Search
18:03 / E Martë, 12 Korrik 2022 / OSH

Gërvalla ngushëllon ushtarakun ukrainas: Edhe unë isha jashtë Kosovës në luftë, bëra gjënë e duhur sikur ju

Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla Schwarz, e ka ngushëlluar kreun e forcave paqeruajtëse ukrainase në Kosovë, Ivan Nastenko, i cili pranoi publikisht se për shkak të detyrës që ka këtu ndihet i turpëruar që nuk gjendet përkrah bashkëluftëtarëve në vijën e frontit në Ukrainë.

Për t’ia zbutur mërzinë ushtarakut, zv/kryeministrja u thirr në përvojën e vet si mërgimtare në Gjermani.

“E di këtë ndjenjë shumë mirë. Të qëndruarit në Gjermani, 2.000 km larg nga këtu por duke punuar secilën ditë për të mbledhur ndihma për Kosovën ishte shumë e rëndësishme, prandaj tani e di se ishte gjëja e duhur për ta bërë. Por, atëherë ndihesha shumë shumë keq”, i tha ajo Nastenkos, pas përfundimit të ceremonisë, ku misioni EULEX nisi 12 automjete si ndihmë për vendin e sulmuar nga Rusia.

“Mos u ndjej i turpëruar sepse nëse do të kishin nevojë për ty atje, do të të thërrisnin. Ti nuk je duke dezertuar, je këtu sepse është vendi ku duhet të jesh”, tha ajo.

Në fakt, detyrën aktuale e cilësoi si shumë të rëndësishme edhe vet ukrainasi, gjatë fjalimit në ceremoni, ku edhe e shprehu shqetësimin e tij.

“Sinqerisht, kam ndjenja të përziera sot. Në njërën anë ndihem shumë i turpëruar, se si bashkë-ushtarakët e mi po sakrifikojnë jetën për Ukrainën, por në anën jam vërtetë krenar sot që shërbej mes kolegëve dhe partnerëve ndërkombëtarë që në çdo kohë janë të gatshëm të ndihmojnë, gjë që i dërgon mesazh të qartë gjithë botës se Ukraina nuk është e vetme”, tha Nastenko./klankosova