75 Mall Live Search
12:00 / E Premte, 22 Gusht 2025 / H F

Gërvalla: Nuk jemi katalog që opozita të zgjedhë “më pëlqen ose s’më pëlqen”

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku kandidati i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati, nuk arriti të siguronte votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit.

Gërvalla tha se situata e krijuar nuk ka të bëjë me kandidaturat, por me mungesën e vullnetit të opozitës për të ecur përpara në ndërtimin e institucioneve të reja.

“Përsëri edhe një kandidat, edhe një bllokim, edhe një dështim në konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Është shumë e qartë se bllokimi nuk lidhet me emra të përveçëm, por lidhet me mosgatishmërinë e opozitës për të shkuar në një fazë të re të qeverisë dhe punëve të shumta që kemi përpara”, deklaroi Gërvalla, transmeton IndeksOnline.

Ajo shtoi se opozita nuk mund ta justifikojë më bllokimin përmes kritikave ndaj kandidatëve të propozuar.

“Nuk ka më asnjë arsyetim i cili mund të bindë qytetarin e Kosovës që qenka çështja për emra të përveçëm. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. Këto subjekte politike shqiptare dhe Lista Serbe, e cila nuk është shqiptare por që e ka per qëllim zhbërjen e Kuvendit të Kosovës. Prandaj jemi këmbëngulës që certifikimi për Listen Serbe në këto zgjedhje komunale të 12 tetorit nuk duhet të ndodhë”.

“Sa kohë që e shfrytëzojnë të drejtën e votës, ok jemi. Prandaj ne propozojmë kandidatin që mendojmë se drejton më së miri këtë institucion, dhe nuk jemi këtu në katalog që opozita zgjedh ‘më pëlqen’ ose ‘jo’.”, tha ajo.

Ajo refuzoi të komentojë se çfarë vendimesh mund të marrë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa iu drejtua edhe një gazetares me fjalët.

“Unë nuk dua të paragjykoj se çfarë bën PZAP-ja. Jeni zëdhënëse e PDK-së, apo jeni gazetare”?

Sipas saj, grupi parlamentar i Vetëvendosjes është në koordinim të plotë për çdo vendim që merr.

“Ne në çdo seancë do t’iu tregojmë se kë do ta kandidojmë. Ne kemi pasur një diskutim në GP para çdo vendimi që marrim”.